AlbanianSport.com 29/05/2020 23:10
ASNN – Më në fund shihet dritë edhe në fund të tunelit të futbollit shqiptar. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) kishte zgjedhur datën 3 qershor për rifillimin e kampionateve të futbollit në Shqipëri dhe sot ka ardhur miratimi nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Sikundër pritej, ndeshjet do të luhen pa tifozë dhe do të zbatohet protokolli sanitar, që është hartuar nga FSHF dhe miratuar nga autoritetet shtetërore.
“Nuk duhet harruar se rihapja kërkon vigjilencë individuale, – ka thënë ajo. – Do vazhdojmë me planin tonë të rihapjes me lirinë e lëvizjes. Do të kërkohet sakrifica individuale. Është vendosur që ne të ndjekim planin e vendosur më herët pavarësisht rritjes së shifrave. Nga 1 qershori lejohet lëvizja në të gjithë territorin pa asnjë kufizim. Do të hapen çerdhet dhe kopshtet dhe kufijtë tokësore, por mbetet në fuqi karantina 14 ditë.”
“Nga data 1 qershor plazhet do të jenë të hapura me autorizime nga një autoritet i përkohshëm që është ngritur në këtë periudhë, – ka vijuar Minstrja. – Të gjithë të zbatojnë protokollet që do të bëhen publike. Do lejohen kampionatet sportive pa praninë e publikut. Do të hapen parqet. Po punohet për një plan për transportin publik por deri në miratimin e tij do qëndrojnë të mbyllura. Do qëndrojnë të mbyllura aktivitetet kulturore, kinematë, teatrot, palestrat dhe klubet.”
Kategoria Superiore rinis në datë 3 qershor, ndërsa katër ditë më vonë rifillojnë Kategoria e Parë dhe ajo e Dytë. Më pas është radha e futbollit të moshave, që do të rifillojë në datë 14 qershor.