Gjergj Vyshka 12.03.2015 11:35
Mirënjohje për Besim Fagun! Kjo është medalja që Ministria e Mbrojtjes ka dorëzuar dje në 90-vjetorin e lindjes së sportistit të mirënjohur, krijuesit dhe drejtuesit për disa dekada të klubit sportiv Partizani. Gjithçka ka ndodhur dje në sallën e auditoriumit të Ministrisë së Mbrojtjes, ku dhe u zhvillua një ceremoni përkujtimore.
Në ceremoni ishin të pranishëm zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ish-sportistë të shquar të të gjithë llojeve të sporteve, jo vetëm të klubit “Partizani”, por edhe të klubeve të tjerë sportivë të vendit tonë, familjarë dhe të afërm të të mirënjohurit Besim Fagu, etj.
Ministrja Kodheli i ka dorëzuar bashkëshortes së të paharruarit Besim Fagu, znj. Hajdije Fagu, “Medaljen e Mirënjohjes” akorduar për këtë figurë të shquar, me këtë motivacion: “Për kontributin e dhënë në zhvillimin e lëvizjes fizkulturore sportive, përgatitjes fizike të Forcave të Armatosura, si dhe themelues i klubit sportiv “Partizani”.
Në vijim gjeneral-lejtnant Rahman Parllaku, në fjalën e tij vlerësoi lart figurën e Besim Fagut si një sportist i shquar dhe krijues i klubit sportiv “Partizani” dhe lëvizjes sportive në ushtri. Ndërsa i biri i tij, ish–basketbollisti elitar i Partizanit dhe i kombëtares, Agim Fagu, solli kujtime nga jeta e Besim Fagut dhe meritat e mëdha që ka lënë në historinë e klubi sportiv “Partizani”.