AlbanianSport.com 10/01/2017 07:55
ASNN – Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në bashkëpunim me Institutin e Kërkimit Shkencor pranë Universitetit të Sporteve në Tiranë do të prezantojë sot studimin mbi parametrat fiziko-funksional të sportistëve të rinj të elitës. Realizimi i projektit studimor është fokusuar tek sportistët elitar kandidatë për të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, si dhe Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Sipas shefit të politikave të sportit cilësor dhe rinisë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Arjan Konomi, është punuar prej gati një viti për këtë studim, ndërsa jepen të dhëna, të cilat janë të krahasuara me botën sot mbi gjendjen e sportistëve tanë dhe rekomandimeve për mënyrën e stërvitjes.
Vitet e fundit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, sidomos në momentin që ishte zëvendësministër Rauf Dimraj, ka bërë dy konferenca mbi studimet antropometrike tek fëmijët 6-18 vjeç, ndërsa në të kanë qenë të angazhuar të gjithë mësuesit e edukimit fizik. Tashmë është shtrirë tek sportistët elitarë, të cilët jo vetëm si pjesëmarrës, por janë dhe kandidat seriozë për medalje në veprimtaritë ndërkombëtare.