AlbanianSport.com 15/08/2018 19:50
ASNN – Shqipëria e minifutbollit ka arritur fitoren e parë historike në Kampionatin Evropian të kësaj loje, që është duke u zhvilluar në Kiev dhe po vjen drejtpërsëdrejti në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar. Pas dy humbjeve, 0-1 me Kazakistanin dhe 2-4 me Bosnjë-Hercegovinën, duke pasur dhe pushimin në mes, Shqipëria e trajnerit Andi Koçi ka reaguar mirë ndaj Irlandës.
Me një formacion krejtësisht të ndryshuar, kjo që nga porta me Xhaferrajn titullar, apo me Shimën e Mërtirin në mbrojtje, Klosin në mesfushë dhe Hysenbelliun e Dushkun në sulm, Shqipëria ka një tjetër mentalitet loje. Madje ka hapje nga krahët me Shimën në të djathtë dhe Hysenbelliun në të majtë, çka e bën Dushkun sulmues të vetëm. Pikërisht ky lojtar ka shënuar golin e parë në të 3-të minutë, me një gjuajtje nga distanca.
Një gjuajtje që e ka gjetur të papërgatitur portierin Somers. Irlanda tenton të befasojë, por gabon në gjuajtje. Dhe në fundin e pjesës së parë vjen dhe goli i sigurisë, që mban firmën e Shimës, shënuesi më i mirë i kuqezinjve dhe 2-0. Në pjesën e dytë, Irlanda dhe pse tenton nuk është e rrezikshme. Kurse në fundin e ndeshjes, Mërtiri i kishte të gjitha shanset të shënonte golin e tretë.
Megjithatë kjo fitore e parë në pjesëmarrjen e parë në Kampionatin Evropian është shumë e rëndësishme për ecurinë e këtij sporti në Shqipëri, ndërsa nesër në ora 15:00 tanët do të kenë ndeshjen e fundit në grup ndaj Bullgarisë.