Gjergj Vyshka 09.04.2016 16:10
Sekretari i Shoqatës Sportive të Minifutbollit Shqiptar, Nderim Kaçeli, ka lajmëruar se sot në mesditë, në mjediset e palestrës së shkollës 9-vjeçare “Qazim Turdiu” do të nisë edicioni i dytë i Ligës Universitare.
Pjesëmarrëse janë 12 skuadra, të cilat janë ndarë në katër grupe. Në grupin A do të jenë pjesëmarrës Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor Kamëz, Universiteti “Hëna e Plotë”, Beder.
Në grupin B janë Universiteti Metropolitan Tirana, Akademia Profesionale e Biznesit dhe Qendra Studentore Nr. 2. Kurse në grupin C konkurrojnë skuadrat e Universitetit “Marin Barleti”, Albanian University dhe Universiteti Logos.
E në grupin D janë Universiteti “Nju Jorkut”, Universiteti Epoka dhe Universiteti “Luarasi”. Pra një gërshetim i Universiteteve Publike me ato jo publike, ndërsa ndeshjet sot kanë nisur në ora 12:00 e të dielën në ora 10:00.
Dy skuadrat e para të çdo grupi shkojnë në çerekfinal, që do të zhvillohet më 16 dhe 17 prill, kurse gjysmëfinalet dhe finalja do të zhvillohen më 23 prill 2016. Në këto kushte, një kampionat universitar në minifutboll është dhe një nxitje më shumë për Federatën e sportit Universitar.