Gjergj Vyshka (ASNN) 28.07.2015 22:15
ASNN – Dëmtimi i Tefik Osmanit dhe kartoni i kuq i Arapit në Irlandën e Veriut e ka detyruar trajneri e Skënderbeut, Mirel Josën, që të rindërtojë sonte mbrojtjen e tij. Vangjeli në të djathtë, Radas e Jashanica në qendër e Eskerdinja në të majtë e kanë pasur fillimin e vështirë, sepse moldavët janë të rrezikshëm me topat pas shpinës. Por për fatin e mirë të Skënderbeut shënjestra e futbollistëve të Milsamit është jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Shehi.
Skënderbeu merr frymë dhe nis të qarkullojë topin në mesfushë për të gjetur mundësinë e goditjes me Salihin. E fundi i pjesës së parë me një 0-0 shumë pozitive është qetësi për Skënderbeun, që pjesën e dytë e ka nisur disi më në zonën e vet me idenë e tërheqjes së kundërshtari më në thellësi. Dhe kundërsulmi funksionon. Berisha e Latifi bëjnë mirë gjithçka nga krahët, kurse finalizuesi Salihi, një sulmues i sprovuar dhe një nuhatës goli i mrekullueshëm, bën gjithçka mirë.
Ka shënuar në një aksion të shpejtë, por dhe nga pika e bardhë. Dhe nëse Abilaliaj nuk do të ishte ndalur nga trau i portës moldave, Skënderbeu do të ishte që sonte në mbrëmje në “play-off” të Ligës së Evropës. Josa, por dhe të tjerët pranojnë që ka dhe 90 minuta. Megjithatë Skënderbeu i ëndrrave i ka bërë të gjithë krenar shqiptarët. Sikur të ishte kështu dhe me Kukësin të enjten në Ligën e Evropës ndaj Legias së Varshavës…