Gjergj Vyshka (ASNN) 28.07.2015 21:25
ASNN – Hamdi Salihi është “engjëlli” i Skënderbeut, ndërsa për korçarët vazhdon ëndrra e madhe evropiane, që ka si objektiv minimal kalimin në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Shkodrani, që është shënuesi më i mirë i Skënderbeut në Ligën e Kampioneve me katër gola, edhe dje në Moldavi ka qenë vendimtar.
Ka shënuar dy gola, ndërsa festa e korçarëve i ka bërë “miush” “gogolët” e Milsamit, të cilët mendoheshin të vështirë pasi kishin eliminuar bullgarët e Ludogorecit të Razgradit. Por Skënderbeu, atje ku përvoja e Shehit në portë, Vangjelit në mbrojtje dhe Shkëmbit e Lilajt në mesfushë është shkrirë në mënyrë perfekte me Salihin, e ka “nxirë” Milsamin dhe presidentin e saj, që ka qëndruar për 90 minuta në këmbë dhe me fytyrën e vrerosur. Pa harruar këtu që virtuoziteti i Berishës në të majtë dhe Latifit në të djathtë i ka bërë moldavët nervoz e shpeshherë të ashpër në ndërhyrje. E turku Goçak nuk ka falur me kartonët e tij të verdhë. Ashtu siç nuk ka falur as tek penalltia, e cila mund të jetë e rrallë të jepet për një skuadër shqiptare në transfertë. Skënderbeu tashmë e ka fituar ndeshjen e parë. Është me një këmbë në Play-off të Ligës së Kampioneve, si dhe pranë realizimit të objektivit minimal, por shumë historik për futbollin shqiptar, kalimin në fazën e grupeve.