AlbanianSport.com 25/02/2021 23:10
ASNN – U luajtën takimet e kthimit i turit të 32-shes, golat në fushë të vet eliminojnë Crvena Zvezdën. Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, është rikthyer të enjten me takimet e kthimit të turit të 32-shes. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë drejtpërdrejt në RTSH 1, takimin Milan-Cërvena Zvezda, që u mbyll në barazim, ndërsa në RTSH Sport, duke nisur nga ora 19:00, e deri në ora 23:00, kanë ardhur të gjithë golat e mbrëmjes.
Ashtu si në ndeshjen e parë, kur ishte detyruar të kënaqej në sekondat e fundit me një barazim 2-2 në Beograd përballë Crvena Zvezdës, edhe në ndeshjen e kthimit, të luajtur të enjten në “San Siro”, Milani ka vuajtur, por sidoqoftë ia ka dalë të marrë një barazim 1-1, që e kualifikon për më tej, në turin e 16-shes së Ligës së Evropës, falë golave të shënuar në fushë të huaj në kryeqytetin serb javën e shkuar.
Në fakt, italianët kanë kaluar epërsi pas 9 minutash lojë, kur Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), ka akorduar një 11-metërsh, të shndërruar në gola nga Kejsi. Është sërish VAR-i që e shpëton Milanin 10 minuta më pas, duke anulluar një gol të serbëve, për një prekje me dorë brenda zonës, ndërsa në të 22-të është shtylla që bëhen shpëtimtare e skuadrës italiane pas një goditjeje këndi të Nabuhanes.
Megjithatë, dy minuta më pas, Crvena Zvezda e ka gjetur golin, pikërisht me anë të Nabuhanes, dhe këtë radhë ai vlen. Në barazim 1-1 do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të jenë të hapura, të luftuara nga të dyja skuadrat, që i kishin rastet për shënim dhe rezultati mund të kishte shkuar në favor të njërës apo tjetrës skuadër, por, në fund, ai nuk ndryshon dhe Milani merr një kualifikim midis drithërimash, ndërsa serbët eliminohen.