AlbanianSport.com 02/11/2021 18:25
ASNN – Për të realizuar objektivat, Ibra me shokë kërkon ndihmën e tifozëve. Forca e Milanit duket kur është në vështirësi. Nuk e humbet toruan në lojë edhe kur ka gati gjysmën e skuadrës të dëmtuar. Nuk e humbet kontrollin edhe kur ndeshja flet kundër tij. Nuk e shikon veten keq edhe kur është me 10 lojtarë në fushë. E pra është një skuadër që lindi pas humbjes së rëndë, 0-5 me Atalantën, disa javë para se futbolli të ndalej për shkak të “Covid-19”-ës. Që nga ajo periudhë, Milan ka ardhur gjithnjë në rritje, duke u përmirësuar, pa bërë çmenduri në merkato, por vetëm në lojë.
Pioli i dha Milanit në fillim lojën, më pas pikët dhe në fund ndërgjegjësimin, që është më e rëndësishmja nga të gjitha. Fitorja kundër Romës, e radhës në takimet direkte, ka një vlerë të rëndësishme në ecurinë e kampionatit në Itali. Sepse në Ligën e Kampioneve është tjetër gjë. Atje përveç lojës duhen edhe kampionë. Milani vështirë se kalon në turin e 16-shes së Ligës së Kampioneve. Një gjë e keqe kjo për arkat e klubit, por nga ana tjetër është mirë për rrugën drejt titullit. Drejt të cilit, derbi i të dielës me Interin mund të jetë vendimtar.
Sulmi premton spektakël, por sfida do të vendoset nga mesfusha. Dhe për këtë klubi shpreson që Stadiumi “Meaca” të jetë plot. Vendi i parë në renditjes, Ligë Kampionesh dhe derbi. Të trija bashkë kërkojnë mbështetjen e tifozëve, një “San Siro” me kapacitet të plotë. Megjithë mbrëmjen e ftohtë të 3 nëntorit, tifozët e Milanit do ta shoqërojnë Ibrën me shokë nga shkallët e stadiumit. 34 mijë bileta janë shitur deri tani për ndeshjen me Porton. Kapaciteti në Ligën e Kampioneve është 75% i stadiumit, pra në “San Siro” pritet të jenë rreth 55 mijë tifozë të Milanit dhe 2 mijë portugezë.