AlbanianSport.com 14.09.2015 07:55
ASNN – Sinisha Mihajlloviç është bërë i njohur tashmë për disiplinën dhe rregullat e forta që kërkon të respektohen nga gjithë lojtarët e tij. Pikërisht për këtë është vënë në qendër të kritikave të mediave, ndoshta edhe për shkakun se Milani i tij ka marrë vetëm tre pikë nga 9 të mundshmet në tri javët e parë të Serisë A.
Por, për Mihajloviç disiplina është elementi thelbësor dhe për këtë sjell si shembull Kombëtaren shqiptare, të cilën në një farë mënyre e lëvdon për ecurinë në këto eliminatore. “Rregullat janë thelbësore, – tha ai në përfundim të takimit Inter-Milan. – Pa rregull talenti nuk vlen.”
“Ne serbët kemi patur gjithmonë përfaqësuese të madhe dhe me talente, por nuk kemi fituar kurrë, sepse secili bënte atë që donte, – ka vijuar trajneri serb. – Jo rastësisht sot Shqipëria ka 11 pikë në grup dhe Serbia më pak.” Kritikat e Mihajloviç për Serbinë vijnë në prag të ndeshjes së 8 tetorit në Elbasan Arena, ku kuqezinjtë do të përballen me serbët në një takim vendimtar për kualifikimin direkt në Euro 2016.
Një fitore e skuadrës së Xhovani De Biazit e kombinuar me humbjen e Danimarkës në fushën e Portugalisë, do t’i dhuronte Shqipërisë kualifikimin historik në një eveniment madhor, madje një ndeshje përpara mbylljes së Eliminatoreve.