AlbanianSport.com 02.05.2015 13:45
ASNN – Në kulmin e karrierës së saj, që kushdo do ta kishte zili, është pa dyshim kapitenia e vlonjateve, Migena Plasa. Një histori suksesi për të me fanellën kuqezi, nëntë vite, tetë herë kampione, i frikshëm si bilanc. Në një intervistë për gazetarin Olgert Serani të së përditshmes sportive shqiptare, “Panorama Sport”, që AlbanianSport.com jua sjell këtu, Plasa tha se këtë sezon e mban mend si më të rivalizuarin, ndoshta më të bukurin në karrierë.
– Një tjetër trofe kampioni në karrierën tuaj me Flamurtarin…
– Në 9 vite si pjesë e kësaj skuadre, vetëm një herë nuk kam fituar, në 8 sezonet e tjera jam shpallur “kampione”. Megjithatë, ky i fundit ishte një nga sezonet më të vështira. Pati rivalitet mes tri skuadrave Flamurtarit, Tiranës dhe Apolonisë. Dy ekipet e tjera afruan edhe lojtare të huaja, duke e bërë më emocionuese garën. Tirana rezultoi e fortë dhe fati ynë që u ndeshëm në gjysmëfinale, që në një farë mënyre ishte si finale.
– Kësaj here sezonin e rregullt e mbyllët të dytat…
– Ndoshta ndikoi humbja që pësuam në fazën e parë në Durrës, por më mirë, pasi në “play-off” u ndeshëm me një skuadër pretendente si Tirana.
– E ndjetë rrezikun në finale pas disavantazhit 1-2?
– Personalisht isha e bindur se ajo skuadër që do të dilte fituese nga gjysmëfinalja me Tiranën do të shpallej “kampion”. Finalen e dytë e humbëm edhe për fajin tonë, toleruam. Deri diku shfaqëm shenja lodhjeje, kjo edhe prej gjysmëfinaleve.
– Ju vjen keq që nuk festuat përpara publikut vlonjat?
– Po. Në ndeshjen e katërt pallati ishte mbushur plot. Në 5 apo 6 vitet e fundit, nuk mbaj mend një atmosferë të tillë. Gjithsesi kur feston në fushën e kundërshtarit, ndjesia është po kaq e veçantë.
– Do ju shohim sërish në parket apo do ia lini stafetën vajzës suaj?
– Në fakt vajza është e vogël për të marrë përgjegjësi të tilla. Kurse unë nuk e kam menduar ende tërheqjen. Nuk përjashtohet mundësia të luaj sërish. Për momentin po shijoj titullin.
– Keni në plan të përfshiheni në trajning në një të ardhme?
– Për momentin jo. Pasi të qenit trajnere ka më tepër ngarkesë emocionale, për të cilën ngurroj ta marr përsipër. Po shikoja trajnerët në finalen e fundit dhe vura re që kishte shumë emocion. Ndryshe mund të ndodhë në pozitat e lojtarit, pasi këto i shkarkon në fushë.