AlbanianSport.com 19/10/2018 15:15
ASNN – Një kampion brenda dhe jashtë fushe. Kështu mund të përkufizohet Lionel Mesi. Pasi ka përfunduar stërvitjen me Barcelonën, ai ka shkuar në spitalin “Sant Joan de Déu” për të vendosur gurin e parë të qendrës pediatrike kundër kancerit në Barcelonë.
Kjo qendër do të jetë e specializuar për të luftuar kancerin që prek fëmijët. Edhe nëpërmjet fondacionit të tij, përgjatë një viti e 8 muaj, janë mbledhur 27.8 milionë Euro që bënë të mundur realizimin e këtij projekti. I kënaqur dhe tepër i emocionuar, kampioni argjentinas ka falënderuar të gjithë.
“Është një kënaqësi të jem këtu sot, – ka thënë ai. – Për mua është një moment i gëzueshëm dhe është e jashtëzakonshme të jem pjesë e këtij projekti, i cili u bë realitet. Falënderoj të gjithë ata që bashkëpunuan dhe shpresoj që fëmijët të vazhdojnë të luftojnë këtë sëmundje mizore si kanceri, sa më lehtë që të jetë e mundur”.
Ylli i Barcelonës është shfaqur tepër i kënaqur që ka mundur të bëjë realitet këtë ëndërr.