AlbanianSport.com 06.01.2016 10:25
ASNN – Skënderbeu dhe Partizani janë duke kërkuar lojtarë cilësorë për të përforcuar skuadrat për pjesën e dytë të kampionatit. Kështu korçarët kërkojnë të marrin Ergys Kaçen ndërsa Partizani Odise Roshin, të dy futbollistë të kombëtares. Skënderbeu është ende në fazën e konfigurimit të skuadrës. Ndër të larguarit bien në sy Olajinka dhe mesfushori Veiga.
Braziliani erdhi me bujë tek korçarët por nuk arriti të shfaqë më të mirën e tij. Presidenti I kampionëve në fuqi, Takaj, kërkon të marrë në skuadër mesfushorin e kombëtares shqiptare Ergys Kaçe. Pritet që gjatë merkatos së dimrit të kryhen bisedimet mes klubeve për të arritur marrëveshjen. Ndërkohë, Partizani do të drejtohet për dy fazat e tjera të kampionatit nga trajneri italian Andrea Agostineli.
Ai ka filluar stërvitjen me skuadrën teksa bien në sy mungesa të tilla si Sebino Plakut, Endri Vrapi dhe Dorian Bylykbashi. Emri më i ri që qarkullon në kampin e Partizanit është ai i Odise Roshit, i cili në verë kaloi nga Frankfurti te Rijeka në Kroaci. Mesfushori i krahut të djathtë i ekipit kombëtar bën pjesë në planet e merkatos së “demave të kuq” për të përforcuar ekipin në janar.
Ndërsa pritet t’i bashkohen skuadrës emra të rinj si Ylber Ramadani nga Kosova, Qemail Elshani si dhe i riu Jurgen Vatnikaj, që rikthehet pas 6 muajsh huazimi te Tërbuni.