Albaniansport.net 21.01.2016 12:15
ASNN – Nuredin Orelesi është rikthyer te Skënderbeu, pas përvojës në Ukrainë te Metagurgu i Zaporzhjas. Mesfushori nigerian firmosi një kontratë 2-vjeçare me kampionët e Shqipërisë. Orelesi është një njohje e vjetër e kampionatit shqiptar, pasi në të kaluarën ishte pjesë e Dinamos dhe e Skënderbeut.
Me korçarët, ai u shpall 3 herë “kampion”, ndërsa i ndihmoi të kalonin për herë të parë një tur në Kupat e Evropës. Drejtuesit korçar kanë afruar shumë lojtarë gjatë janarit, ndërsa ka patur edhe largime, por ende nuk konfirmojnë për mbylljen e merkatos. Ndërkohë, një tjetër goditje e merkatos vjen nga kryeqyteti, ku Partizani zyrtarizoi rikthimin e Emiljano Vilës.
Ky i fundit firmosi për 1 vit e gjysmë me të kuqtë e kryeqytetit. Sulmuesi luajti me të kuqtë sezonin e kaluar, ndërsa së fundi u aktivizua me Interin e Bakusë në Azerbajxhan. Një pjesë e ekipeve të Kategorisë Superiore kanë qenë aktive në merkato, ku spikasin Skënderbeu, Flamurtari dhe Partizani.