AlbanianSport.com 16.02.2017 20:25
ASNN – Ndonëse për momentin bëhet fjalë për lojtarë jo dhe me aq shkëlqim sa ç’luajnë në Evropë, prapëseprapë futbollin kinez është shndërruar një magnet, si për trajnerë, ashtu edhe për lojtarë. Madje ishte paralajmëruar që, janari i 2017-ës mund të sillte zhvillime të reja me hapjen e një dege të re të merkatos së futbollit, atë të “xhaketave të zeza”, siç njohin ndryshe gjyqtarët.
Etja për të patur sukses në arenën ndërkombëtare të futbollit ka bërë kinezët që jo vetëm të shpenzojnë shuma marramendëse për trajnerë dhe futbollistë, por edhe të sjellin risi në merkaton e futbollit. Për ta përmirësuar këtë sport dhe për të qene konkurrentë kinezët kanë vendosur t’i vënë skuadrat e tyre në kushte të barabarta me ato botërore dhe kjo nis që nga ata që gjykojnë.
Kështu, objektivi i Superligës kineze është të afrojë edhe gjyqtarë nga më të mirët. Një i tillë ishte edhe Mark Klatenburg, i kuotuar si më i miri në botë për momentin. Ai ka drejtuar finalen e Kupës së Federatës (FA Cup) në Angli, finalen e Ligës së Kampioneve si dhe atë të Kampionatit Evropian “Francë 2016” dhe kërkohej të shkonte të gjykonte në Kinë.
Por saga e tij ka marrë një kthesë së papritur pasi anglezi ka vendosur të braktisë Federatën e tij për t’u zhvendosur në Arabinë Saudite. Shoqata e Gjyqtarëve Anglezë të Futbollit ka konfirmuar sot se 41-vjeçari Klatenburg, ka dhënë dorëheqjen nga çdo detyrë e tij brenda Anglisë. Ai ka vendosur të ndjekë dollarët e naftës, ashtu si futbollistët.
Siç bëhet e ditur, ai ka marrë përsipër të drejtojë sektorin e gjymit në Arabinë Saudite, ku sigurisht që do të përfitojë shuma më të mëdha. Nuk dihet ende nëse ai do të vazhdojë të gjykojë apo jo në Arabi Saudite, por është e sigurt se FIFA nuk do të përfshijë emrin e tij në listën e gjyqtarëve që do të drejtojnë në Botërorin 2018, duke e lënë Anglinë pa asnjë përfaqësues të tillë.
Klatenburg mendohet se ka qenë në bisedime prej disa muajsh për largimin, por përflitej fillimisht se do të shkonte në Kinë për të drejtuar atje ndeshjet e kampionatit vendas. Kjo lëvizje e papritur mund të nisë një eksod të mirëfilltë të gjyqtarëve cilësorë europianë drejt vendeve aziatike të cilët pas trajnerëve dhe futbollistëve të njohur, tani janë gati të investojnë edhe për gjyqtarët.
Në merkaton e gjyqtarëve është edhe Hauard Uebi, i cili është një prej kandidatëve për të mbikqyrur “Video Asisstent Referee”, në “Major League Soccer” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, me vendimin e tij, Klatenburg ka hapur derën e një realiteti të ri dhe nuk është çudi që të shohim së shpejti që edhe emra të tjerë të gjykimit të nisin të emigrojnë drejt dollarëve “të verdhë”, “petro-dollarëve” apo çdo lloji tjetër dollarësh…