AlbanianSport.com 20/02/2024 17:15
ASNN – Disiplina, gjoba dhe pezullime trajnerësh, Partizani e Tirana e paguajnë shtrenjt derbin, Memushaj pezullohet për 6 ndeshje. Këto ishin disa prej vendimeve të marra të martën nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Kështu, ky Komisioni, i mbledhur të martën, ka marrë një sërë masash lidhur me ato që ndodhën në ndeshjet e radhës në Kategorinë Superiore dhe atë Të Parë. Kështu, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar mjediset e stadiumit “Arena Kombëtare”, Partizani dhe Tirana janë dënuar me gjobë në masën 100,000 lekë.
Klubet urdhërohen gjithashtu të dëmshpërblejnë dëmet e shkaktuara në stadium, sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve. Po për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në drejtim të lojtarëve në fushën e lojës, edhe Laçi dënohet me gjobë në masën 100,000 lekë, ashtu sikundër dënohet për të njëjtën arsye edhe Flamurtari, por, në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba aplikohet në masën 50%.
Vendimet e tjera kanë qenë individuale dhe trajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, është dënuar me 6 ndeshje pezullim nga aktiviteti, ndërsa edhe ndihmëstrajneri i Vllaznisë, Bashkim Livareka, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, është dënohuar me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Së fundi, edhe zyrtari i Kukësit, Qemal Koçi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, është dënuar me 4 ndeshje pezullim nga aktiviteti.