AlbanianSport.com 31.07.2015 08:55
Ndeshja e ndërprerë në Tiranë ka gjetur pasqyrim edhe në mediat ndërkombëtare sportive, si “ESPN” thuhet se lojtari polak është goditur nga tifozët e Kukësit me gurë. Ndërprerja e ndeshjes në “Qemal Stafa” është pasqyruar edhe nga e përditshmja e mirënjohur britanike “The Guardian”, por në ndryshim nga mediat polake, gazeta britanike nuk e cilëson se nga cilët tifozë ishte goditur.
Ndërsa më tej shkruan se lojtari polak, Duda, është fashuar dhe ka qenë i gatshëm për t’u futur sërish në fushën e lojës. “The Guardian” përmend në shkrimin të cilin e ilustron me foton e fotoreporterit të mirënjohur shqiptar Armando Babani, edhe precedentë të mëparshëm të tifozëve të Legias, ku thotë se edhe në sezonin e kaluar të Ligës së Kampioneve, ka pasur tensione në ndeshjen që polakët zhvilluan ndaj Sëlltikut.
Madje, ata janë përjashtuar nga Liga e Evropës vjet edhe për shkak të futjes në fushë të një lojtari të pafederuar në sfidën me skocezët. Ndërkohë, në një postim në llogarinë zyrtare të Legias në “Twitter” shkruhet: “Ndeshja në Tiranë u ndërpre. Ondrej Duda u godit me një gur nga tifozët e Kukësit”. 10 minuta më pas, në “Twitter”-in e Legias shkruhej: “Zyrtare: Ndeshja Kukësi-Legia braktiset”.
“Ka shumë të ngjarë të na jepet “aforfe”, sepse Duda u godit nga një gur i hedhur nga tifozët shqiptarë. Sendet e forta të hedhura në fushë bënë në fakt që ëndrra e Kukësit kthehet në një makth europian. Për faj të personave të papërgjegjshëm, nënkampionët e vendit ndoshta duhet të përballen me sanksionet e UEFA-s, pasi ndeshja e Europa League kundër Legias së Varshavës u ndërpre përfundimisht në minutën e 52-të.
Ndihmësi i kryesorit, Stefan Klosner raportoi për një gur të hedhur që goditi një prej lojtarëve polakë, çka bëri që ndeshja të ndërpritej në momentin më të bukur kur të dyja skuadrat gjetën nga një gol brenda pak sekondave, por ajo që duhej të ishte një festë futbolli u transformua sa hap e mbyll sytë në një moment negativ, që do të mbahet mend gjatë dhe do të rëndojë shumë për shpatullat e futbollit shqiptar.
Gjestet e huliganizmit, të frymëzuara nga tifozët polakë, u kopjuan nga shqiptarët që tentuan të sulmonin nga shkallët lojtarët miq. Goli i dytë i Legias bëri që stadiumi të ndizej edhe më shumë pas shkëndijave të dhëna në pushimin e pjesë së parë ku polakët tentuan të çanin kordonin duke krijuar trazira. Një send i fortë i lëshuar nga shkallët preku një prej lojtarëve të skuadrës mike.
Fillimisht trajneri i Legias tërhoqi skuadrën nga fusha e lojës dhe më pas gjyqtari Klosner vendosi ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes, duke thirrur në dhomat e zhveshjes dy kapitenët. Pas një bisede të gjatë mes gjyqtarit zviceran dhe lojtarëve që përfaqësonin klubet, shefin e sigurisë së Kukësit dhe drejtuesin e stadiumit Eduart Prodani, shefi i sigurisë se UEFA-s vendosi që ndeshja të ndërpritej përfundimisht.