AlbanianSport.com 02.12.2016 15:25
ASNN – Ndeshja Tirana-Partizani është mbyllur në barazim pa gola. Ky takim ka nisur të enjten por u ndërpre për shkak të mungesës së energjisë elektrike në stadiumin “Selman Stërmasi”. Të premten 27 minutat e mbetura nuk sollën asnjë ndryshim në rezultat.
Në përfundim të këtij takimi, të dyja skuadrat marrin nga një pikë, duke mos sjellë asnjë ndryshim në renditje, ku Partizani mban në vendin e tretë, me 24 pikë, ndërsa Tirana atë të katërtin, me 22 pikë. Kjo sfidë u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Ndërkaq, dy rivalet për titull, Kukësi dhe Skënderbeu, këmbyen të mërkurën vendet në renditje, por janë në të njëjtën kuotë pikësh, 27. Ekipi verilindor, i drejtuar trajneri Ernest Gjoka, mundi në shtëpi Laçin me rezultatin 2-0 në sfidën e parë të javës së 13-të, të zhvilluar në Stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit, duke u kthyer në vendin e parë.
Skënderbeu u ndal në fushën e Luftëtarit në një barazim pa gola. Skuadra gjirokastrite po zhvillon një kampionat të mirë, ndërsa ajo korçare ka humbur nga shkëlqimi i sezoneve të kaluar. Ndërkaq, Flamurtari fitoi 2-1 me përmbysje ndaj Teutës. Kurse Vllaznia konsolidoi pozitat në vendin e 5-të falë fitores 3-0 me vendin e fundit, Korabin.
Në ta gjitha ndeshjet e Superligës u mbajt 1 minutë heshtje për të nderuar futbollistët e skuadrës braziliane Shapekoense, të cilët vdiqën në një aksident ajror në Kolumbi.