AlbanianSport.com 17.10.2015 18:55
ASNN – I përhershmi Xhevahir Sukaj shënoi edhe në Ballsh me fanellën e Partizanit, duke i dhënë të kuqve të Starovës dhe kënaqësinë e të qenit i pari në krye të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit me 19 pikë, po aq sa dhe Skënderbeu.
Në Ballsh, Partizani vuajti shumë por në fund arriti të dalë me 3 pikë falë shkodranit, i cili është shndërruar tashmë në protagonistin kryesor të të kuqve. Edhe pse kaluan të parët në epërsi me Peposhin, ballshiotët nuk arritën të administronin rezultatin. Gëzimi i tyre zgjati vetëm 3 minuta, pasi Batha barazoi për të kuqtë.
Pas këtij momenti të dyja skuadrat krijuan raste para portës kundërshtare, por asnjëra prej tyre nuk arriti t’i finalizojë ato me gol. Atëherë kur mendohej se gjithçka do të mbyllej në barazim, Sukaj, i gjendur në vendin dhe në kohën e duhur, shënoi golin e fitores për Partizanin.
Përveç 3-pikëshit të kryeqytetasve, lajmi i fundjavës në futbollin shqiptar ishte padyshim fitorja e Vllaznisë, e para kjo për shkodranët në këto 7 javë kampionat. Kuqeblutë mundën 3-0 në fushë të huaj Tërbunin, sukses ky që bën të harrohen për disa momente tensionet në klubin shkodran.
Shtubina, Soza dhe në fund Paviçeviç ishin autorët e golave të triumfit të Vllaznisë, e cila ngjitet në vendin e tetë duke lënë menjëherë pas vetes Tërbunin dhe Bylisin. Fitoi në minutat e fundit edhe Kukësi i Marselo Troisisë, i cili mundi me vështirësi 1-0 Laçin me 10 lojtarë.
Nënkampionët e Shqipërisë vuajtën shumë përballë një skuadre e cila përveç lojës së mirë diti të mbrohej po aq mirë. Kukësianët shpërdoruan edhe një 11-metërsh, ndërkohë që golin e fitores për ta e shënoi Malota me një goditje me kokë, vetëm 2 minuta nga fundi i kohës së rregullt të ndeshjes.
Sfida e vetme e së shtunës e cila përfundoi në barazim ishte ajo mes Tiranës dhe Flamurtarit, dy skuadra këto që gjenden në mesin e renditjes. Golit të Vucajt për bardheblutë e Tiranës në fillimin e ndeshjes, vlonjatët iu kundërpërgjigjën me Tshakadzen në pjesën e dytë.