Nga Gjergj Vyshka 10.03.2015 16:10
20 shtator 2013-17 mars 2015. Kjo është koha që nga zgjedhja e presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, që institucioni më i lartë i olimpizmit në vend nuk është mbledhur më në asamblenë e saj të zakonshme. E thënë ndryshe, gati një vit e gjysmë, pa thënë se po kapej dyvjetëshi pa asamble, ndonëse në sportin shqiptar kanë rrjedhur shumë gjëra. Sigurisht pjesëmarrjet në Lojërat Olimpike Dimërore “Soçi 2014” dhe në Lojërat Olimpike Rinore “Nanxhing 2014 kanë kaluar nëpër analizat e komisioneve dhe të Komitetit Drejtues për të dalë dhe më pas në deklarata përpara mediave.
Por sporti shqiptar ka patur sidoqoftë edhe probleme të tjera, sidomos në rastet e dopingut, që gjithsesi kanë kërkuar që të analizohen. KOKSH gjithnjë ka qenë i pranishëm nëpër analizat e Federatave, që janë anëtare të saj. Por tashmë ka nevojë që të analizojë veten dhe të japë pse jo llogari për atë që ka bërë mirë e që ka bërë keq. Sepse një vit e gjashtë muaj pa mbledhur asamblenë është shumë, për të mos thënë që janë kapërcyer të gjitha kufinjtë e rregullave në thirrjen një herë në vit të asamblesë dhe anëtarësisë së saj. Shembulli më i mirë, pa lënë mënjanë Federatat e tjera, është Federata Shqiptare e Futbollit. M
andatin e radhës presidenti Duka e ka marrë më 28 shkurt 2014 dhe tashmë më 19 mars 2015 bën analizën e saj vjetore. Sepse të gjithë kanë nevojë për t’u shkundur. Gjithsesi tashmë është fakt, më 17 mars 2015, në mjediset e hotel “Bleartit” në Shkëmbin e Kavajës, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, pas një viti e gjashtë muaj që nga rinovimi, do të bëjë analizën e saj vjetore.