AlbanianSport.com 12.09.2016 20:45
ASNN – Me rezultatin 0-0 është mbyllur ndeshja Partizani-Vllaznia, e vlefshme për javën e dytë të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. 90 minutat luajtura në “Elbasan Arena” kanë qenë të varfra në emocione, raste për shënim dhe mungesë fantazie në fushë nga ana e të dyja skuadrave. Kjo ndeshje u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kështu, java e dytë e kategorisë superiore është mbyllur me ndeshjen Partizani-Vllaznia, e cila u luajt në Stadiumin “Elbasan Arena”. Të dyja skuadrat kanë zhvilluar një lojë të kujdesshme, pa emocione duke i lënë në harresë portierët përkatës. Duke menduar të përfitojnë nga gabimet e njëri-tjetrit, futbollistët e të dyja skuadrave nuk kanë mundur të ndërtojnë asnjë sulm.
E, për rrjedhojë, as kanë mundur t’i venë në vështirësi portat kundërshtare. 45 minutat e para mbyllen me rrjeta të paprekura e ndërsa pritej që situata të ndryshonte në pjesën e dytë, lojtarët janë tepër konfuzë në krijimin e sulmeve dhe nuk arrijnë të hyjnë në zonat e rreptësisë. Në minutën e 48-të, Partizani ka rastin më të mirë për të kaluar në epërsi, kur Trashi, i vetëm me portierin e Vllaznisë brenda zonës, e kalon topin mbi traversë.
Minutat e tjera do të sjellin për të gjithë sportdashësit, një lojë monotone, pa fantazi dhe raste për shënim. Në minutat e fundit, Partizani mundohet të shfaqet i rrezikshëm në zonën e Vllaznisë, por pa mundur të finalizojë. Me rezultatin 0-0 mbyllen kështu 90 minutat në “Elbasan Arena” midis Partizanit dhe Vllaznisë, rezultat ky që iu jep nga një pikë të dyja skuadrave.