AlbanianSport.com 07/10/2018 21:45
ASNN – Ka derbi e derbi, por ky i sotmi në basketbollin shqiptar të femrave është fjalë për fjalë “sui generis” në latinisht. Kjo sepse Tirana e ka mundur sot Tiranën. Skuadra bardheblu, e drejtuar nga trajneri Erdal Borova, që njihen zyrtarisht si “Shoqata Klubi i Basketbollit Tirana”, kanë arritur të sigurojnë fitoren e parë në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për femra, në Grupin A1 të Kategorisë së Parë, pasi mundën me rezultatin 74-63 skuadra tjetër bardheblu, që këtë sfidë ishte veshur e gjitha me uniformat rozë e që njihet zyrtarisht si “Shoqata Tirana Basketboll Femra”, në ndeshjen e luajtur pasditen e së dielës në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.
Vajzat bardheblutë të Borovës kanë arritur të dominojnë lojën, duke fituar të katërta pjesët dhe, më konkretisht, duke kryesuar 18-12 në të parën, 36-31 në të dytën, 58-46 në të tretën dhe duke e mbyllur me rezultatin e përgjithshëm 74-63. Ekipi vendas tregohet më i qarta në veprimet sulmuese, si dhe mbron me disiplinë, duke mos lejuar qendrat e kundërshtarit të drejtuar nga trajnerja Mirza Alibegaj, të dominojë nën tabelë. Erta Bujari dhe 3-pikëshit e Elektra Zykajt sollën epërsinë për “Shoqatën Klubi i Basketbollit Tirana”, të cilët ia dolën ta ruanin këtë rezultat deri në fund, pavarësisht presionit të madh të ushtruar nga rivalja kryeqytetase.
Ndërkaq, dy takimet e tjera të kësaj jave të parë, kampionia në fuqi, Flamurtari, mundi në fushën e saj Elbasanin, me rezultatin 90-75, ndërsa Vllaznia ka triumfuar në një duel të barazpeshuar me Studentin, duke fituar në fund me vetëm 3 pikë epërsi, 56-53. Flamurtari, Sh. K. B. Tirana dhe Vllaznia kryesojnë renditjen pas javës së parë, me nga dy pikë secila.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kategoria e Parë
Grupi A
Java e parë:
6 tetor 2018:
Flamurtari – Elbasani 90-75
Pallati i Sportit “Flamurtari”, Vlorë
7 tetor 2018:
Vllaznia – Studenti 56-53
Pallati i Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër
SH.K.B. Tirana F. – SH.B. Tirana F. 74-63
Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, Tiranë