AlbanianSport.com 04.12.2014 13:45
ASNN – Me apo pa tifozët bardheblu? Kjo është edhe dilema e madhe e futbollit shqiptar, në prag të përballjes midis dy rivalëve historikë të kryeqytetit, Partizanit dhe Tiranës. Bardheblutë janë ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës për t’i zhvilluar ndeshjet si brenda, ashtu edhe jashtë, pa tifozë. Por një deklaratë e bërë ditët e fundit nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka mjaftuar për të hedhur idenë se derbi i madh i kryeqytetit do të luhet me praninë e spektatorëve të të dyja kampeve, pra përfshirë edhe ata bardheblu.
Partizani dhe Tirana përballen të hënën në derbin e madh të 138-të të kryeqytetit, por gjithçka është pezull përsa i përket asaj nëse kjo përballje historike do të luhet me të dy palët e tifozëve apo vetëm me tifozët e të kuqve. Tirana është ndëshkuar fillimisht me 15 ndeshje pa tifozë në fushën e saj, për shkak të dhunës që shpërtheu në përballjen e fazës së parë në Shkodër, duke vijuar të dënohet edhe me 6 ndeshje pa tifozë jashtë fushës së saj, pas incidenteve gjatë ndeshjes së para pak javëve në Elbasan, që çoi edhe në dëmtimin e stadiumit të ri, “Elbasan Arena”.
Megjithatë, një deklaratë e bërë nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka mjaftuar për të hedhur idenë se derbi i madh i kryeqytetit do të luhet me praninë e spektatorëve të të dyja kampeve, pra përfshirë edhe ata bardheblu. Sipas Dukës, vendimi i dhënë nga Disiplina (që dënon tifozët bardheblu me 6 ndeshje pa tifozë në fushë të huaj) do të vihet në zbatim vetëm javën e ardhshme, kur do të mblidhet edhe Komisioni i Apelit. Duket se ajo që nuk ndodhi në derbin e fazës së parë, u vu në zbatim për këtë ndeshje.
Kujtojmë që përballja e parë u zhvillua në një stadium të heshtur dhe pa tifozë, madje federata refuzoi edhe kërkesën e klubit bardheblu për të lejuar të paktën femrat dhe fëmijët. Por këtë herë, diçka ka ndryshuar. Institucioni më i lartë i futbollit në vend preferon këtë herë që të presë vendimin e Apelit, përpara se të vendosë në zbatim vendimin e Disiplinës. Duka ka theksuar se personalisht, është i mendimit që derbi të luhet me të dyja tifozëritë të pranishme në shkallët e stadiumit. Për më tepër që do të ketë dhe interesim nga mediat e huaja, të cilat do të raportojnë për futbollin shqiptar.
Pritet që brenda këtyre ditëve të zyrtarizohet edhe fakti që derbi i madh i kryeqytetit do të luhet më 8 dhjetor në praninë e të dyja tifozërive.