AlbanianSport.com 05.08.2016 07:55
ASNN – Janë zhvilluar ndeshjet e fundit të turit të tretë eliminator të Ligës së Kampioneve. Nuk kanë munguar surprizat teksa janë eliminuar Olimpiakos, Anderlehti dhe Shahtjori i Donjeckut. Kështu, turi i tretë i veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të Evropës ka dhuruar surpriza. Francezët e Monakos arrijnë të kualifikohen ndaj Fenerbahçes, duke përmbysur disavantazhin në ndeshjen e parë. Në Principatë, vendasit arrijnë një fitore 3-1 ndaj turqve, duke siguruar kualifikimin për në turin tjetër.
Zhërmen dhe Falkao i japin epërsinë e dyfishtë francezëve. Fillimisht është Zhërmeni që realizon golin e parë në minutën e 2-të dhe Radamel Falkao dyfishon në të 18-ën, me 11-metërsh. Emenike ngushton diferencën për Fenerbahçen në minutën e 53-të, por është sërish Zhërmen, që në të 65-të, i dhuron kualifikimin skuadrës nga Principata. Një përmbysje surprizuese ka realizuar dhe Jang Bojs, që ka arritur të eliminojë ukrainasit e Shahtjorit të Donjeckut.
Dy gola të Juja Kubo në minutat e 54-t dhe të 60-të çojnë sfidën në shtesë dhe, më pas, tek goditjet e 11-metërshave. Nga pika e bardhë tregohen më të saktë zviceranët ndërsa për ukrainasit gaboi Fred dhe Rakitski. Izraelitët e Hapoel Bir Shevas eliminojnë grekët e Olimpiakos. Pas barazimit në Piré, ndeshja e kthimit u dhuron izraelitëve fitoren 1-0, falë një goli të shënuar nga Tzedek në minutën e 80-të. Eliminim surprizë dhe për belgët e Anderlehtit.
Ata u mundën në shtëpi nga nënkampionia e Rusisë, Rostov me rezultatin 2-0 falë golave të shënuar nga një në secilën pjesë, Kristian Noboa në të parën dhe Azmuni në fillimin e pjesës së dytë. Vuan Sëlltiku, por në fund ia del përballë kazakëve të Astanës. Një gol i Musa Dembelelesë në minutën e 92-të, me 11-metërsh, u dhuron skocezëve kualifikimin për në fazën e “play-off”-it. Vuan edhe Ajaksi i Amsterdamit, por në fund ia del, duke përmbysur gjithçka ndaj PAOK-ut në Selanik, falë dy golave të shënuar nga Dani Klasen.
Kalojnë pa problem ndërkohë FC Kopenhageni, që fitoi 3-0 në shtëpi përballë rumunëve të Astras, Steauaja e Bukureshtit, që mundi Spartën e Pragës 2-0 dhe Legia e Varshavës, që triumfoi përballë sllovakëve të Trençinit. Tashmë skuadrat presin shortin e të premtes për të mësuar kundërshtarët në turin e fundit eliminator të Ligës së Kampioneve.