AlbanianSport.com 05.04.2015 17:05
ASNN – Me ndeshjet e javës së 20-të, të luajtura dje, është mbyllur sezoni i rregullt i Superligës së Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, ndërsa në ditët në vijim, do të zhvillohen gjysmëfinalet e më pas finalet e “play-off”-it për titullin “kampion”.
Në ndeshjet e kësaj jave, ka spikatur fitorja që Kamza Basket korri të premten në fushën e vet ndaj Tiranës, duke triumfuar me rezultatin e ngushtë 89-87, por vetëm pas dy pjesëve shtesë nga 5 minuta secila. Kjo fitore përvijon edhe një herë potencialin e skuadrës së trajnerit Adem Muhametaj si pretendente për trofe këtë sezon.
Si mbajtëse e vendit të tretë, Kamza Basket do të përballet me kampionen në fuqi, Vllazninë, e cila dje mundi bindshëm Partizanin, me rezultatin 92-52, dhe e mbyll sezonin e rregullt në vendin e dytë, me 36 pikë, një më pak se Tirana. Ndërsa të kuqtë kryeqytetas e mbyllin në vendin e 4-t, me 29 pikë dhe do të përballen në gjysmëfinalen e “play-off”-it me rivalët bardheblu.
Në takimin tjetër të javës, Flamurtari ka mundur Apoloninë 80-50, në duelin e fundit të renditjes. Vlonjatët, të cilët e mbyllin në vendin e 5-të, do të ndeshen në “play-out” me të dytën e Kategorisë së Parë, Studentin e Henri Mojës, për të përcaktuar se cila skuadër do të luajë në Superligës së Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj sezonin e ardhshëm.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 20-të
(3-4 prill 2015)
Të premten:
Kamza Basket – Tirana 89-87 (+10’)
Të shtunën:
Vllaznia – Partizani 92-52
Flamurtari – Apolonia 80-50
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Tirana 20 17 3 1696-1298 37
- Vllaznia 20 16 4 1651-1338 36
- Kamza Basket 20 13 7 1548-1278 33
- Partizani 20 9 11 1268-1446 29
- Flamurtari 20 5 15 1379-1535 25
- Apolonia 20 0 20 1111-1758 19