AlbanianSport.com 04/01/2018 15:55
ASNN – Me dy takimet e luajtura të dielën, niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategoria e Parë, ka ulur në të dy grupet siparin e javës së 8-të, që është edhe java e parafundit e fazës së parë.
Në takimin e sjellë të dielën drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, Besa ka mundur minimalisht Lushnjën, duke ia rimarrë kreun e renditjes së grupit B, Bylisit, që të shtunën pati fituar 2-1 në Berat përballë Tomorit vendas, në një tjetër takim të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Në takimet e tjera të grupit B u arritën rezultatet Oriku-Apolonia 0-0, Egnatia e Rrogozhinës-Turbina e Cërrikut 2-1 dhe Pogradeci-Elbasani 4-1. Ndërsa në grupin A, apo grupin e Veriut, të dielën Veleçiku i Koplikut fitoi 1-0 ndaj Burrelit.
Takimet e tjera u luajtën të shtunën dhe dhanë këto rezultate: Dinamo-Korabi i Peshkopisë 0-2, Vllaznia-Vora 3-1, Besëlidhja-Iliria e Fushë-Krujës 1-0 dhe Erzeni-Shënkolli 5-0.