AlbanianSport.com 11/02/2024 12:30
ASNN – Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, Superliga, është rikthyer në parket dhe Skënderbeu fiton derbin juglindor, por ndjekin “hap pas hapi” Partizani dhe Tirana. Kështu, është luajtur java e 9-të e Superligës në volejboll për femra dhe Skënderbeu mbron vendin e parë, duke mposhtur 3-0 Pogradecin në derbin juglindor (25-6, 25-21, 25-18).
Ndonëse pritej një përballje më e fortë, në fushë dominoi skuadra korçare, që e meritoi fitoren, sidomos pas një seti të parë të fituar thellë. Po në 3 sete ka fituar edhe Partizani “kampione” në fuqi, që mundi Lushnjën në kryeqytet (25-10, 25-18, 25-17), në një tjetër ndeshje që është mbizotëruar nga vajzat e Amarilda Prengës, që nuk e vunë në dyshim për asnjë çast triumfin.
Tri pikë merr edhe Tirana, që mposhti me përmbysje 3-1 Teutën në Durrës (20-25, 25-14, 25-11, 25-11). Më e bukur dhe e barazpeshuar ka qenë ndeshja mes Barleti Volejit dhe Vllaznisë, ku mikeshat nga Shkodra triumfuan pas 5 seteve (25-22, 17-25, 25-23, 16-25, 11-15). Dy herë Barleti kaloi në epërsi dhe po dy herë u arrit nga vajzat shkodrane. Sidoqoftë, universitaret mbrojnë vendin e 4-t në renditje.
Kampionatit Kombëtar
Volejboll – Femra
Superliga
Java e 9-të
Lushnja – Partizani 0-3
Teuta – Tirana 1-3
Pogradeci – Skënderbeu 0-3
Barleti Volej – Vllaznia 2-3
Renditja
- Skënderbeu 25 pikë
- Partizani 24 pikë
- Tirana 21 pikë
- Barleti Volej 15 pikë
- Vllaznia 11 pikë
- Pogradeci 9 pikë
- Teuta 3 pikë
- Lushnja 0 pikë