AlbanianSport.com 11/02/2024 16:10
ASNN – Edhe në Kampionatin Kombëtar të Volejbollit për meshkuj janë luajtur takimet e radhës dhe Partizani mbetet kryesues i Superligës, teksa në 3 sete fitojnë edhe Erzeni, Tirana dhe Studenti. Kështu, është mbyllur të shtunën java e 9-të e Superligës në volejboll për meshkuj dhe ekipi i Partizanit vijon të jetë në krye të renditjes, duke udhëhequr me 27 pikë të plota, pas 9 fitoresh të pastra.
Të “kuqtë” mundën 3-0 Elbasanin në fushën e kësaj të fundit (25-21, 25-17, 25-16), në një ndeshje të mbizotëruar nga kryeqytetasit, që janë shkëputur ndjeshëm nga rivalët. Ndërkaq, është rikthyer tek fitorja ekipi i Erzenit, që në fushën e tij mundi 3-0 Skënderbeun (25-20, 25-20, 25-21). Miqtë u përpoqën të rivalizojnë, por e patën të pamundur të ndjekin ritmin e diktuar nga shijakasit, që mbrojnë vendin e dytë.
Një moment të mirë po kalon ekipi i Tiranës, që mundi 3-0 (25-15, 25-16, 25-21) Teutën në Durrës, duke u ngjitur në vendin e 3-të në renditje. Një ndeshje e kontrolluar nga bardheblutë, që janë rikthyer fuqishëm këtë vit në kampionat. Së fundit, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, ekipi i Studentit fitoi 3-0 (25-16, 25-18, 25-16) ndaj Vllaznisë, në një takim pa shumë emocione.
Skuadra kryeqytetase pati epësi në të 3 setet, duke marrë 3 pikë të tjera të rëndësishme, që e ngjitin në vendin e 4-t në renditje, duke parakaluar pikërisht shkodranët.
Kampionati Kombëtar
Volejboll – Meshkuj
Superliga
Java e 9-të:
Elbasani – Partizani 0-3
Teuta – Tirana 0-3
Erzeni – Skënderbeu 3-0
Studenti – Vllaznia 3-0
Renditja
- Partizani 27 pikë
- Erzeni 21 pikë
- Tirana 17 pikë
- Studenti 16 pikë
- Vllaznia 14 pikë
- Skënderbeu 6 pikë
- Elbasani 3 pikë
- Teuta 1 pikë