AlbanianSport.com 01.11.2016 19:10
ASNN – Në takimin që uli siparin e javës së 9-të të Kategorisë Superiore, Partizani ka triumfuar 1-0 në Durrës ndaj Teutës vendase, duke u rikthyer i vetëm në krye të renditjes, me 25 pikë, 3 më tepër sesa kampionia në fuqi, Skënderbeu. Kjo ndeshje, që u luajt në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Ndërkohë, më herët, Tirana ka pritur në kryeqytet Kukësin dhe kjo ndeshje, që u luajt në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” dhe që ishte edhe premiera e Ilir Dajës si trajner i bardhebluve, u fitua nga vendasit me rezultatin 2-1. Tri takimet e para të javës së 9-të janë luajtur të shtunën dhe Tërbuni ka barazuar 1-1 në shtëpi me Laçin, ndërsa Vllaznia është mundur 3-1 në Ballsh përballë Bylisit vendas.
Në mbrëmje, Skënderbeu ka fituar në fushën e vet ndaj Flamurtarit, me rezultatin 2-0, duke marrë përkohësisht kreun e renditjes, me një golaverazh më të mirë sesa Partizani. Megjithatë, të kuqtë kryeqytetas janë rikthyer të vetëm në krye të renditjes, me 25 pikë, të ndjekur nga Skënderbeu, me 22, Kukësi me 16, Teuta me 14 dhe Tirana, me 13 pikë.
Kategoria Superiore
Java e 9-të
Të shtunën:
Tërbuni Pukë – Laçi 1-1
Bylis Ballsh – Vllaznia 3-1
Skënderbeu – Flamurtari 2-0
Të dielën:
Tirana – Kukësi 2-1
Teuta – Partizani 0-1