AlbanianSport.com 30/01/2024 19:50
ASNN – Është luajtur java e pestë e Kampionatit Kombëtar të Futsallës, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF). Ndeshja e parë e kësaj jave ishte Partizani-Flamurtari, që u zhvillua në Arenën Sportive “Goga Basket”. Të kuqtë hodhën pas momentin negativ dhe u rikthyen te fitorja, pasi triumfuan 11-5 ndaj Flamurtarit.
Takimi nisi më mirë për vlonjatët që zhbllokuan sfidën që në minutën e dytë, megjithatë Partizani gjeti forcë të reagonte dhe realizoi 6 gola që në pjesën e parë. Pjesa e dytë nuk pati shumë histori me Partizanin që e mbizotëroi ndeshjen dhe në fund triumfoi me rezultatin e thellë 11-5.
Takimi tjetër i javës ishte mes Vllaznisë dhe Tiranës që u luajt në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Bardheblutë triumfuan sërish pasi mundën Vllazninë 8-3. Tirana e mbizotëroi takimin dhe realizoi 3 gola që ne pjesën e parë, ndërsa në atë të dytën, bardheblutë shënuan edhe 5 gola të tjerë.
Në anën tjetër, kuqeblutë realizuan 3 gola në pjesën e dytë dhe sfida në fund përfundoi 3-8 në favor të Tiranës. Këtë sezon bardheblutë nuk njohin kufi duke regjistruar 5 fitore në po aq sfida dhe udhëheqin renditjen me 15 pikë, 8 më shumë se Partizani i vendit të dytë.
Në javën e gjashtë të Kampionatit Kombëtar të Futsallës, Tirana do të përballet në derbi me Partizanin, ndërsa Flamurtari me Vllazninë.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit të Sallës
Java e 5-të:
Partizani – Flamurtari 11-5
Vllaznia – Tirana 3-8
Renditja:
Nr. Skuadra Pikë
- Tirana 15
- Partizani 7
- Flamurtari 4
- Vllaznia 2
Java e 6-të:
Tirana – Partizani
Flamurtari – Vllaznia