AlbanianSport.com 20/06/2020 18:55
ASNN – Pas dy takimeve të luajtura të premten, të shtunën janë luajtur 3 ndeshjet e tjera të javës së 30-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që kanë nisur të gjitha në orën 17:00. Midis këtyre takimeve, vëmendjen kryesore ishte padyshim në takimin mes Laçit dhe Kukësit. Dhe skuadra kurbinase e ka tronditur atë verilindore duke i dhënë një goditje të fortë shpresave të saj sa i përket titullit “kampion”.
Bardhezinjtë e Armando Cungut kanë triumfuar me rezultatin 2-0, duke i dhënë kështu një “dorë” Tiranës, që tashmë ka thelluar diferencën në 9 pikë në krye të renditjes së Kategorisë Superiore.
Ishte një humbje e rëndë kjo për skuadrën e trajnerit Orges Shehi. Fillimisht, shënoi mesfushori Lushkja, një gol shumë të bukur në minutën e 35-të. Ndërsa në pjesën e dytë, shënoi mbrojtësi Selmani, për të vulosur rezultatin final të sfidës në 2-0. Kukësi ka mbetur në kuotën e 53 pikëve, 4 më tepër sesa Laçi, ndërsa një pikë më prapa, ndodhet Skënderbeu, që, përtej idesë se do të hakmerrej për humbjen në Kupën e Shqipërisë në mesjavë, ka vijuar të mundet sërish përballë Bylisit. Në Ballsh, në sfidën mes Bylisit dhe Skënderbeut, ishin vendasit ata që triumfuan, vetëm në sekondat e fundit të sfidës.
Një gol nga portieri Isli Hidi, i shënuar me 11-metërsh, vendosi fatet e takimit në favor të ballshiotëve, ndërsa për gardianin kryeqytetas të Bylisit, ky ishte goli i 5-të i realizuar nga pika e bardhë këtë sezon, por i pari në pjesën e dytë. Një pikë prapa Skënderbeut, në kuotën e 47 pikëve, është ngjitur Teuta, që mori një fitore të thellë 1-5 përballë Luftëtarit, me të 6 golat që u shënuan në pjesën e dytë. Përtej një pjese të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, që dha shpresë për një paraqitje të mirë të vendase pas kapitullimit të dielën e shkuar me Partizanin, gjithçka mori tatëpjetën në pjesën e dytë.
Sherif Kallaku shënoi një 3-golësh, ndërsa Hebaj dhe Avdyli shënuan nga një herë. Golin e vetëm për Luftëtarin e shënoi Haxhiu, për barazimin e përkohshëm në shifrat 1-1. Laçi ngjitet në vend të tretë dhe lë Skënderbeun pas, ndërsa Kukësi mbetet 9 pikë pas Tiranës kryesuese. Teuta renditet tanimë në vendin e 5-të me 47 pikë, ndërsa ndjek Partizani me 44 pikë. Ballshiotët më fitoren e së shtunës kanë shkuar në kuotën e 43 pikëve dhe renditen në vendin e 7-të. Vllaznia pozicionohet në zonën e ftohtë, teksa është në kuotën e 39 pikëve, në vendin e 8-të. Luftëtari dhe Flamurtari, që kanë rënë edhe matematikisht në Kategorinë e Parë, renditen në dy vendet e fundit.