AlbanianSport.com 09.03.2016 18:50
ASNN – Skënderbeu vazhdon të kryesojë renditjen e Kategorisë Superiore, pasi ka mundur të mërkurën Teutën me një gol vetëm, në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Skënderbeu fiton kështu 1-0 dhe ruan largësinë me Partizanin, që ka fituar 2-0 në Ballsh ndaj Bylisit, me nga një gol për secilën pjesë loje. Në takimet e tjera të javës së 25-të, Partizani, Kukësi dhe Vllaznia korrën fitore, ndërsa përballja Tirana-Flamurtari u mbyll me rrjeta të paprekura.
Skënderbeu dhe Partizani nuk ndalen as në javën e 25-të të Kategorisë Superiore. Dy kryesuesit fituan ndeshjet e tyre, duke ruajtur të paprekur diferencën prje katër pikësh. Konfirmohet kriza e Tiranës, që nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola kundër Flamurtarit. Fitojnë Kukësi dhe Vllaznia. Kësisoj, gara në distancë për titullin “kampion” vazhdon. Nuk ndryshon asgjë në krye të renditjes me Partizanin që godet në fillim dhe Skënderbeut që përgjigjet në të njëjtën mënyrë.
Kampionët në fuqi ruajtën diferencën në krye pas fitores 1-0 kundër Teutës në sfidën që mbylli javën e 25-të të Superiores. Megjithë përpjekjet, Teuta nuk do të arrinte të pengonte Skënderbeun që rivendos sërish distancën e sigurisë me Partizanin. Të kuqtë e kryeqytetit nuk kanë ndërmend të dorëzohen lehtë dhe këtë e konfirmuan në vizitën e Ballshit. Skuadra e Andrea Agostinelit kaloi me shifrat 2-0 vendasit, duke ruajtur serinë pozitive.
Ndryshe nga parashikimet ndeshja rezultoi e lehtë për Partizanin, që mori më të mirën me nga një gol për çdo pjesë, në fillim me Vilën dhe më pas me Trashin. I ndryshëm është diskutimi për Tiranën. Kësisoj, nuk ka revansh për skuadrën e Ilir Dajës që barazoi pa gola në shtëpi kundër Flamurtarit. Tjetër ndalesë e rëndë për bardheblutë që zbresin në vendin e pestë të renditjes dhe I largohen më shumë Kupave të Evropës. Meritë e Kukësit që bën kapërcimin e madh në renditjes.
Të besuarit e trajnerit Klodian Duro mundën 1-0 Laçin. Sërish vendimtar shqiptaro-maqedonasi Emini, që e ngjiti ekipin e tij në vendin e tretë të Kategorisë Superiore. Fitorja më e thellë në këtë javë të kampionatit elitar të futbollit në vend u regjistrua nga Vllaznia. Shkodranët e drejtuar nga trajneri Armando Cungu mundën lehtësisht 4-0 në fushë të huaj Tërbunin, duke iu larguar më shumë zonës së ftohtë të rënies nga Kategoria.