AlbanianSport.com 06.02.2017 19:50
ASNN – Skënderbeu ka arritur të dalë me tre pikë nga përballja me Korabin në “Elbasan Arena”. Korçarët ia dolën të fitojnë me anë të një 11-metërshi, të shndërruar në gol nga Hamdi Salihi në minutën e 66-të. Loja në përgjithësi ishte nën nivelin e pritur dhe rastet e krijuara ishin të pakta. Me këtë fitore, Skënderbeu ngjitet në kuotën e 38 pikëve.
Korçarët u bashkohen kështu Partizanit në vendin e dytë me pikë të barabarta, por të kuqtë favorizohen nga golavarazhi më i mirë. Ndërkohë Korabi mbetet në kuotën e 11 pikëve në vendin e fundit. Në fakt, e ka nisur nga stoli, por shkodrani Hamdi Salihi rezultoi të ishte vendimtar në fitoren minimale të Skënderbeut ndaj Korabit.
Trajneri Ilir Daja e nisi ndeshjen me shumë mungesa, ku binte në sy Latifi i pezulluar, por edhe Salihi, Muzaka dhe Predesku në stol. Megjithatë ishin korçarët ata që e dominuan pjesën e parë, por pa mundur të gjejnë rrugën e rrjetës. Në pjesën e dytë, Daja vendosi të bëjë ndryshime duke hedhur në fushën e lojës Predeskun dhe Salihin.
Pikërisht ky i fundit rezultoi vendimtar në këtë takim, duke kthyer në gol një 11-metërsh të shumëdiskutuar, të fituar nga Lilaj. Ky 3-pikësh bën që Skënderbeu t’i bashkohet Partizanit në renditje me 38 pikë, 4 më pak se Kukësi i vendit të parë. Ndërsa për Korabin situata bëhet më e rëndë, duke mbetur në vendin e fundit me vetëm 11 pikë.
Në ndeshjen e fundit të kësaj jave, Flamurtari fitoi 2-1 ndaj Luftëtarit, duke u larguar nga zona e ftohtë e renditjes. Flamurtari ringrihet pas humbjeve ndaj Skënderbeut dhe Besëlidhjes, duke mposhtur Luftëtarin në takimin përmbyllës të javës së 20-të të Kategorisë Superiore.
Kuqezinjtë triumfuan 2-1 në shtëpi duke marrë një trepikësh të çmuar në luftën për mbijetesë, ndërkohë që ekipi gjirokastrit humb mundësinë për të parakaluar Tiranën në vendin e katërt. Skuadra e trajnerit Gentjan Mezanit e siguroi praktikisht suksesin që në pjesën e parë me dy gola të bukur.
Është kapiteni Franc Veliu që ka realizuar në minutën e 27-të dhe sulmuesi Tomislav Bushiç pak para pushimit. Bluzinjtë e trajnerit Milinkoviç reaguan në të dytën dhe ngushtuan disavantazhin me Eduart Rrocën, i cili realizoi në minutën e 63-të, por nuk mundën të shmangnin humbjen megjithë rastet e krijuara. Pas këtij triumfi Flamurtari e sheh veten me 20 pikë, aq sa Laçi, ndërsa Luftëtari mbetet i 5-sti në kuotën 25.