AlbanianSport.com 13.12.2015 07:05
ASNN – Janë luajtur dje 3 ndeshjet e tjera të javës së 10-të të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar në Basketboll për Femra dhe spikatën fitoret e papritura të Vllaznisë në kryeqytet ndaj Tiranës dhe të Skënderbeut në Durrës ndaj vendaseve të Goga Basketit.
Korçaret kanë triumfuar 94-83 në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” ndaj durrsakeve të Goga Basket, duke mbetur në kuotën e 14 pikëve, po aq sa ka edhe Vllaznia, me të dyja skuadrat të përfshira në një duel për vendin e 4-t dhe të fundit që të çon në “play-off”-in final të titullit.
Vllaznia në basketboll për femra mund të konsiderohet me plot gojën skuadra surprizë e kampionatit. Shkodranet, me vetëm pesë basketbolliste, me një lojë saktë zonale, por të sakta edhe në gjuajtje, i kanë dhënë një leksion Tiranës se si luhet basketbolli në grup, duke fituar 74-72.
Në takimin tjetër të javës, Kamza Basket ka mundur me dy pikë diferencë Elbasanin, në një ndeshje ku nuk munguan emocionet brenda. Mikeshat nga Kamza luajtën më mirë në dy pjesët e para, duke krijuar epërsinë e mjaftueshme për të përballuar humbjen e dy pjesëve të tjera dhe duke e fituar ndeshjen 69-71 në favor të tyre.
Të premten, Flamurtari ka fituar 65-52 në takimin e luajtur në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Kësisoj, me 9 ndeshje, 9 fitore dhe asnjë humbje, vlonjatet janë të pandalshme në këtë kampionat. Ajo që duhet evidentuar është fakti kanë luajtur nënë e bijë përballë njëra-tjetrës si kundërshtare, Plasa për Flamurtarin dhe Vani për Studentin.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Java e 10-të
(11-12 dhjetor 2015)
Të premten:
Studenti – Flamurtari 52-65
Të shtunën:
Tirana – Vllaznia 72-74
Goga Basket – Skënderbeu 83-94
Elbasani – Kamza Basket 69-71
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Flamurtari 9 9 0 687-519 18
- Goga Basket 9 6 3 655-582 15
- Tirana 9 6 3 646-593 15
- Vllaznia 9 5 4 606-580 14
- Skënderbeu 9 5 4 657-636 14
- Studenti 9 3 6 503-623 12
- Kamza Basket 9 2 7 444-519 11
- Elbasani 9 0 9 472-617 9