AlbanianSport.com 02.11.2014 19:05
ASNN – Kampionia në fuqi, Skënderbeu, ka mundur Laçin me rezultatin 2-0, në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të të Kategorisë Superiore, të zhvilluar të dielën pasdreke dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në takimet e tjera të pasdites, Kukësi ka fituar 2-0 në Elbasan ndaj vendasve, kurse Vllaznia është mundur 1-2 në Shkodër nga Teuta. Duke nisur nga ora 16:00, është luajtur në kryeqytet takimi Partizani-Apolonia, që u fitua nga të kuqtë me rezultatin 1-0, ndërsa ndeshja e fundit, ajo midis Flamurtarit dhe Tiranës, po luhet aktualisht në Vlorë.
Të dielën janë luajtur të gjitha ndeshjet e javës së 11-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe, si zakonisht, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht takimin më të spikatur, atë që është luajtur në Laç midis skuadrës vendase dhe Skënderbeut. Pjesa e parë e kësaj sfide midis fituesve të Kupës së Shqipërisë para dy sezonesh dhe kampiones në fuqi ka qenë kryesisht e barazpeshuar, por e varfër në raste. Madje edhe goli i vetëm i kësaj pjese, i shënuar nga korçarët pas një gjysmë ore lojë, ka ardhur në mënyrë rokamboleske, pasi goditja e Sabien Lilajt është devijuar në portë nga futbollisti nigerian, Piter Olajinka. Me këtë epërsi minimale të miqve mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të karakterizohen nga një lojë më kërkuese e Laçit, me Skënderbeun duke u mbrojtur me kujdes dhe duke kundërsulmuar rrezikshëm. Kampionët në fuqi ia dalin me sukses ta mbrojnë atë epërsinë, madje edhe ta thellojnë atë 5 minuta para fundit, kur Sefa del i lirë në zonë dhe godet saktësisht me kokë, duke shënuar golin e dytë miqve. Skënderbeu fiton me rezultatin 2-0, ndërsa në takimet e tjera të pasdites, Kukësi ka fituar 2-0 në Elbasan ndaj vendasve, kurse Vllaznia është mundur 1-2 në Shkodër nga Teuta.