AlbanianSport.com 26.02.2017 16:25
ASNN – Kukësi-Partizani, supersfida e javës së 23-të të Kategorisë Superiore është mbyllur në barazim pa gola. Nga një pikë për secilën skuadër që nuk ndryshon asgjë në renditje. Kukësi barazohet me 47 pikë me Skënderbeun dhe ndajnë vendin e parë e të dytë. Ndërsa Partizani mbetet në të tretin.
Kështu pra, ka përfunduar me barazim pa gola ndeshja midis dy pretendentëve për titull, Kukësit dhe Partizanit. Me këtë rezultat Kukësi rikthehet të kryesojë, por këtë herë me pikë të barabarta me Skënderbeun, ndërsa të kuqtë vazhdojnë të qëndrojnë 4 pikë prapa kreut.
Në Kukës u zhvillua një ndeshje spektakolare, e cila pati gjithçka i duhet një ndeshje futbolli, por vetëm gola nuk prodhoi. Ekipi vendas ishte disi më kërkues dhe madje gjeti edhe golin me Eminin në pjesën e parë, por që u anulua pasi shqiptari i Maqedonisë ishte në pozicion jashtë loje.
Vlen të veçohet edhe prezenca mjaft e madhe në stadium, e tifozëve të të dyja ekipeve, të cilat krijuan një atmosferë mjaft të bukur për zhvillimin e një ndeshjeje të tillë, midis dy ekipeve pretendente. Por, edhe këtë herë nuk munguan përplasjet midis tifozëve të kuq dhe policisë kukësiane, si dhe shumë stola të thyer prej tyre dhe të hedhur në fushë.