AlbanianSport.com 26.09.2014 21:55
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur sonte dy ndeshjet e para të javës së saj të 6-të. Sonte, duke nisur nga ora 17:00, Apolonia ka pritur në Fier Kukësin, që i është rikthyer fitores duke fituar 1-0 në fushë të huaj. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga kroati Pero Pejiç në minutën e 44-t të takimit.
Edhe pse në minutën e 55-të mbeti me 10 lojtarë për shkak të kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Kushtrim Lushtaku, Kukësi arriti të ruante epërsinë minimale deri në fund. Me tre pikët e marra në Fier, nënkampionët shkojnë në kuotën e 10 pikëve dhe javën e ardhshme presin në shtëpi Teutën.
Ndërsa duke nisur nga ora 20:00, është luhet derbi i madh i kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit. Por ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim herët e tjera, këtë radhë derbi ka ardhur i shurdhët, pasi Tirana është ndëshkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me 15 ndeshje pa tifozë.
Kësisoj, derbi i sotëm i kryeqytetit midis bardhebluve dhe të kuqve është luajtur në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” të boshatisur, çka padyshim do t’ia zbehë bukurinë kësaj përballjeje rivalesh historike. Ndërkohë nuk e kanë lënë pa krijuar atmosferën e tyre të përhershme tifozëritë, por këtë herë për kënaqësinë e tyre personale.
Në Stadiumin “Selman Stërmasi” janë grumbulluar tifozët e Tiranës, duke e ndjekur nëpërmjet ndeshje në ekran të madh, ndërsa tifozët e Partizantit janë mbledhur në fushën e sportit ë Laprakës, duke ndjekur skuadrën e tyre. Dhe, kur nuk ka tifozë, nuk ka as gola në derbin e shumëpritur Tirana-Partizani.
Një ndeshje e luftuar në fushën e lojës megjithatë pa sharmin e një ndeshjeje derbi si në të shkuarën e përballjeve të këtyre dy skuadrave. Sa i përket lojës skuadrat kanë qenë të kujdesshme të dyja dhe kanë dominuar lojën, secila nga një pjesë, duke rënë dakord më pas të gjithë me këtë barazim 0-0 si rezultati më i drejtë.
Tri takimet e tjera të javës së 6-të të Kategorisë Superiore luhen të shtunën dhe, duke nisur nga ora 16:00, Elbasani përballet në Shkodër me Vllazninë.
Ndërkaq, duke nisur nga ora 19:00, Flamurtari pret në Vlorë Laçin, ndërsa Skënderbeu është mysafir në Durrës për t’u ndeshur me Teutën. Renditjen e Kategorisë Superiore e kryesojnë Tirana dhe Partizani, me nga 11 pikë secila, të ndjekura nga Flamurtari, Skënderbeu dhe Kukësi, me nga 10 pikë, dhe Vllaznia me 8.