AlbanianSport.com 26.09.2014 19:15
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit luan sonte dhe nesër ndeshjet e javës së saj të 6-të. Sonte, duke nisur nga ora 17:00, Apolonia ka pritur në Fier Kukësin, që i është rikthyer fitores duke fituar 1-0 në fushë të huaj. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga kroati Pero Pejiç në minutën e 44-t të takimit.
Edhe pse në minutën e 55-të mbeti me 10 lojtarë për shkak të kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Kushtrim Lushtaku, Kukësi arriti të ruante epërsinë minimale deri në fund. Me tre pikët e marra në Fier, nënkampionët shkojnë në kuotën e 10 pikëve dhe javën e ardhshme presin në shtëpi Teutën.
Ndërsa duke nisur nga ora 20:00, do të luhet derbi i madh i kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit. Por ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim herët e tjera, këtë radhë derbi do të vijë i shurdhët, pasi Tirana është ndëshkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me 15 ndeshje pa tifozë.
Kësisoj, derbi i sotëm i kryeqytetit midis bardhebluve dhe të kuqve do të luhet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” të boshatisur, çka padyshim do t’ia zbehë bukurinë kësaj përballjeje rivalesh historike. Tri takimet e tjera të javës së 6-të të Kategorisë Superiore luhen të shtunën dhe, duke nisur nga ora 16:00, Elbasani përballet në Shkodër me Vllazninë.
Ndërkaq, duke nisur nga ora 19:00, Flamurtari pret në Vlorë Laçin, ndërsa Skënderbeu është mysafir në Durrës për t’u ndeshur me Teutën. Renditjen e Kategorisë Superiore e kryesojnë Flamurtari, Skënderbeu, Tirana, Kukësi dhe Partizani, me nga 10 pikë secila, të ndjekura nga Vllaznia me 8.