AlbanianSport.com 05.10.2014 22:35
ASNN – Është mbyllur këtë të diel java e 7-të e Kategorisë Superiore, me tri ndeshjet e zhvilluara në mesditë e që kanë përfunduar të trija me fitoret e ekipeve vendase. Kukësi ka mposhtur minimalisht 1-0 durrsakët e Teutës, falë një goli të Pero Pejiçit, i cili i ka dhënë jo vetëm 3 pikët e radhës ekipit verilindor, por edhe kreun e renditjes me 13 pikë në 7 javë.
Vetëm 1 pikë prapa Kukësit gjendet dyshja e kryeqytetit, Tirana-Partizani, por edhe Flamurtari i Vlorës, ekipe këto që janë në kuotën e 12 pikëve, ndërsa kampionët në fuqi, Skënderbeu, mbeten disi më pas, me 11 pikë të grumbulluara në po shtatë javë kampionati. Në dy takimet e tjera të së dielës, Laçi ka mposhtur thellë dhe pastër 3-0 Vllazninë.
Kjo humbje e ka zhytur kështu këtë skuadër edhe në “krizë” rezultati veç krizës administrative që po kalon, pas përplasjes së drejtuesve dhe Bashkisë së qytetit. Ndërsa me fitoren e sotme, laçjanët kanë parakaluar shkodranët dhe gjenden tashmë në kuotën e 10 pikëve. Golat e fitores së vendasve u shënuan nga Xhejms (njç dygolësh) dhe Cetkoviç.
Ndeshja e fundit e së dielës ishte ajo mes dy ekipeve që janë ngjitur këtë sezon në Kategorinë Superiore, por njëkohësisht mbajnë edhe dy vendet e fundit në klasifikim që, nëse do të mbaronte këtu kampionati, do t’i rikthente ato sërish në Kategorinë e Parë. Bëhet fjalë për Elbasanin, që ka mposhtur 2-0 Apoloninë e Fierit, një rival direkt për luftën për mbijetesë.
Me këtë fitore, verdheblutë kanë marrë edhe 3 pikët e para të këtij edicioni, pas plot 7 javë kampionati, ku deri më tani njihnin vetëm rezultate negative dhe shënonin 0 pikë. Për verdheblutë shënuan Çota dhe Musta, nga një gol në secilën pjesë loje.