AlbanianSport.com 11/02/2024 15:15
ASNN – Ka nisur gjysma e dytë e sezonit edhe në nivelin më të lartë të Kampionatit të Kosovës në futboll, në Superligë, aty Ballkani vazhdon marshimin drejt titullit “kampione”, Prishtina nuk fal në shtëpi, ndërsa zhgënjen Malisheva. Ballkani rikthehet me fitore në kampionat, teksa suharekasit mposhtën në fushë të huaj me rezultatin 3-0, Lirinë.
Të besuarit e trajnerit Ilir Daja e hapën rrjedhën e golave në minutën e 22-të me Halilin, ndërsa në fraksionin e dytë gjetën rrugën e rrjetës edhe Kryeziu dhe Thaqi. Pas kësaj fitoreje, Ballkani ngjitet në kuotën e 43 pikëve në vend të parë ndërsa nga ana tjetër, Liria mbetet në fund me nëntë pikë. Ndërkohë, edhe Prishtina nuk gaboi në shtëpi duke fituar me rezultatin 2-0 ndaj Feronikelit.
Kryeqytetasit shënuan nga një gol për pjesë me autor Blesa dhe Pefqeli. Pas këtij trepikëshi, Prishtina ngjitet në kuotën e 29 pikëve në vend të 4-t ndërsa Feronikeli mban vendin e 7-të me 21 pikë. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër të javës së 19-të, Dukagjini mposhti Malishevën me rezultatin 2-1. Golat për vendasit erdhën nga Zulfiji e Paulo Viktor Silva, në minutat 58 e 65 të sfidës.
Ndërsa për miqtë golin “e nderit” e shënoi Hazrollaj, në minutën e 44-t. Sa i përket renditjes Malisheva mbetet në vendin e 5-të, me 29 pikë, ndërsa Dukagjini në vendin e 6-të me 27 pikë. Në dy takimet e para, të luajtura të shtunën, Llapi korri një fitore minimale, por mjaft të vyer në Gjilan ndaj Dritës vendase, duke i rrëmbyer vendin e dytë në renditje, ndërsa Fush-Kosova dhe Gjilani u ndanë në një barazim 1-1.