AlbanianSport.com 10.12.2016 20:45
ASNN – Është mbyllur edhe java e 15-të e Kategorisë Superiore dhe Kukësi tanimë ecën me hap kampioni, pasi shënoi një gol ndaj Flamurtarit dhe mori tre pikëshin duke ruajtur kryesimin në renditje. Në mbrëmje, Partizani fitoi 2-0 ndaj Laçit në Stadiumin “Elbasan Arena”, me gola të Ekubanit dhe një 11-metërsh i fituar prej tij, por të kthyer në gol nga Agustin Torrasa. Surpriza ishte në kryeqytet, ku Korabi i mori në mbrëmje barazimin Tiranës.
Ndeshja përfundoi me shifrat 1-1, me gola të Takut për Tiranën dhe Plakut për Korabin. Kështu, Kukësi ia rrëmbeu sërish kreun Skënderbeut në renditjen e Kategorisë Superiore. Në Stadiumin “Zeqir Ymeri”, skuadra verilindore e trajnerit Ernest Gjoka mundi Flamurtarin me rezultatin e ngushtë 1-0, për t’u ngjitur e vetme në kuotën e 31 pikëve. Fati i takimit u vendos që në minutën e 23 të tij kur Izeir Emini shënoi golin e fitores për Kukësin.
Partizani i përgjigjet suksesit të Kukësit, teksa mposhti Laçin në “Elbasan Arena” 2-0 për t’iu afruar akoma më shumë Skënderbeut në vendin e dytë. Ekuban shënoi golin e parë për skuadrën e drejtuar nga Sulejman Starova, ndërkohë që të dytin e shënoi Torasa nga pika e bardhë e 11-metërshit. Kur Tirana gabon sërish. Këtë radhë, bardheblutë vetëm sa barazuan 1-1 ndaj Korabit në “Selman Stërmasi”. Sfida nisi mjaft mirë për të besuarit e Mirel Josës që kaluan të parët në epërsi me anë të Takut.
Por Korabi reagoi dhe me anë të një “ish”-i bardheblu, Plakut, që shënoi golin e barazimit në 1-1, një rezultat ky që mbeti deri në fund të 90 minutëshit. Gola, emocione dhe dramë në Stadiumin “Loro Boriçi”, aty ku Vllaznia vendase u mund 2-3 nga Luftëtari. Megjithëse të ndihmuar fillimisht nga një autogol i Stefan Cicmilit, gjirokastritët nuk u treguan të kursyer në vëllim loje dhe raste për shënim. Megjithatë, epërsia zgjati vetëm 6 minuta, pasi shkodranët reagojnë dhe Shtubina barazon.
Por janë përsëri miqtë që shënojnë me Rexhinaldon. Ritëm tejet i lartë në pjesën e parë, shkodranët nuk e lejojnë disavantazhin dhe barazojnë me Antonio Markun. Në pjesën e dytë, Luftëtari është i papërmbajtshëm duke rrezikuar disa herë. Rasti më flagrant ishte në minutën e 70-të, atëherë kur topi i goditur nga Bregu me kokë preku dy shtyllat vertikale të portës shkodrane, por nuk shkoi në rrjetë. Por skuadra mike u shpërblye në minutën e 74-t, kur Abazaj dha një top të artë për Rexhinaldon, që nuk fali.