AlbanianSport.com 28/02/2021 16:25
ASNN – Ajaksi merr një pikë në fund përballë PSV-së së Eindhovenit, mbetet 6 pikë i shkëputur. Është mbyllur në një barazim 1-1 përballja e kreut në nivelin më të lartë të Kampionatit Holandez të Futbollit, të njohur si “Eredivisie”, pasi Ajaksi ia ka dalë, por vetëm në shtesë, të marrë një pikë në Eind’hoven përballë PSV-së vendase, duke e ruajtur kështu epërsinë prej 6 pikësh në vendin e parë të renditjes.
Në fakt, përballja e luajtur të dielën në “Filips Stadion” ka parë skuadrën vendase ta mbyllë pjesën e parë në epërsi, falë një goli të shënuar nga Zahavi në minutën e 39-të, pas një goditjeje të lirë të ekzekutuar mjeshtërisht. Në pjesën e dytë, skuadra e PSV-së do të gjejë edhe një gol të dytë, 11 minuta para fundit të kohës së rregullt, por ai do të anulohet nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR).
Dhe Ajaksi do të përfitojë pikërisht në minutën e fundit të kohës së rregullt, kur do të fitojë një 11-metërsh që do të shndërrohet në gol dy minuta më pas nga Dushan Tadiç. 3 minutat e mbetura nga 5 gjithsej shtesë nuk sjellin më gola të tjerë dhe Ajaks vazhdon të kryesojë në kuotën e 57 pikëve, 6 më tepër sesa PSV-ja e Eindhovenit, që ka luajtur edhe një ndeshje më tepër.