AlbanianSport.com 26.11.2014 23:30
ASNN – Teksa ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur në fazën e grupeve, Liga e Kampioneve ka përcaktuar këtë fundjavës 11 nga 16 skuadrat që vazhdojmë më tej aventurën e tyre në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të kontinentit. Në ndeshjet e së mërkurës mbrëma, ka spikatur fitorja e Juventusit në Suedi, si dhe ajo e Arsenalit në Londër ndaj Borusias së Dortmundit.
Veprimtaria më prestigjioze të klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve ka mbyllur të mërkurën raundin e 5-të të ndeshjeve në grupe dhe, në përfundim të tij janë mësuar emrat e 11 prej 16 skuadrave që do të vazhdojnë më tej aventurën e tyre evropiane.
Atletiko e Madridit, Reali i Madridit, Bajer Leverkuseni, Borusia e Dortmundit, Arsenali, Bajerni i Mynihut, Paris Sen-Zhërmeni, Barcelona, Çellsi, Porto dhe Shahtjori i Donjeckut, janë skuadrat që e kanë siguruar biletën për të vijuar më tej në turin e 16-shes, ndërsa janë ende edhe 5 bileta të tjera, për të cilat janë në luftë 9 skuadra.
Në ndeshjet e së mërkurës mbrëma, ka spikatur fitorja e Juventusit në Suedi, si dhe ajo e Arsenalit në Londër ndaj Borusias së Dortmundit. Torinezët mposhtën të ftohtin nordik dhe mundën Malmoen 2-0, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit, që sidoqoftë do të vendoset në ndeshjen e fundit në grupin A.
Ndërsa me të njëjtat shifra, Arsenali ka triumfuar në fushën e vet ndaj Borusias së Dortmundit të kualifikuar që më parë, duke iu bashkuar kështë gjermanëve në turin tjetër të Ligës së Kampioneve.