AlbanianSport.com 05.04.2015 13:25
ASNN – Është mbyllur brenda 2 ndeshjesh çështja e përcaktimit të finalistëve të “play-off”-it të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj dhe Studenti e Tirana do të diskutojnë midis tyre titullin “kampion”. Tirana e ka fituar edhe gjysmëfinalen e dytë të “play of”-it ndaj Teutës, të luajtur në fushën e kësaj të fundit. Kësisoj, skuadra e trajnerit Arben Sako siguron një vend në finale.
Teuta u fut në lojë me objektiv të vetëm fitoren, pasi vetëm kështu mund t’i mbante shpresat gjallë për një vend në fazën finale. Nga ana tjetër, ishte Tirana, e cila zbriti në parket më e qetë falë fitores së parë në shifrat 3-0 dhe, përtej një përpjekjeje të durrsakëve në setin e dytë, që shkon në një maratonë 27-29 për bardheblutë, skuadra e Sakos e ka mbyllur gjithçka në 3 sete edhe në ndeshjen e dytë.
Ndërkaq, ashtu si më 1 prill, edhe në gjysmëfinalen e dytë Vllaznia është mundur nga kampionët në fuqi. Ekipi nga kryeqyteti ka zhvilluar një lojë më të mirë duke marrë kështu biletën për finale. Vllaznia në setin e parë ka bërë përpjekjet maksimale për të marrë avantazhin, por volejbollistët kuqeblu gabuan duke i dhënë përparësi skuadrës kundërshtare për ta fituar atë set.
Dy setet e tjera nuk kanë qenë shumë të vështira për t’u fituar nga Studenti. Miqtë janë të kujdesshëm dhe arrijnë që në setin e dytë të fitojnë 25-13 dhe 25-19 në setin e tretë duke fituar kështu 3-0. Studenti në përbërje ka dy ish-volejbollistë të Vllaznisë, Rrashketën dhe Qerraxhinë, që bashkë me dy blerjet nga Bullgaria, i dhanë fitoren ekipit të Ylli Tomorrit.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Kalendari i “play-off”-it
Gjysmëfinalet
Ndeshja e parë
(1 prill 2015)
Të mërkurën:
Studenti – Vllaznia 3-0 (1-0)
Salla 1, Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, Tiranë
Tirana – Teuta 3-0 (1-0)
Salla Sportive “Fahrie Hoti”, Tiranë
Ndeshja e dytë
(4 prill 2015)
Të shtunën:
Vllaznia – Studenti 0-3 (0-2)
Pallati i Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër
Teuta – Tirana 0-3 (0-2)
Pallati i Sportit “Ramazan Njala”, Durrës