AlbanianSport.com 02/10/2019 23:05
ASNN – Më pak gola të mërkurën, Barcelona përmbys Interin, Liverpuli vuan, por fiton. E mërkura, ku u luajtën të dytat e grupeve D, E, F dhe G të Ligës së Kampioneve, ka qenë më pak e begatë sa i përket shënimit të golave, në krahasim me të martën. Midis rezultateve të mbrëmjes, spikati Barcelona, e cila përmbys Interin, ndërsa Liverpuli ka vuajtur, por ka fituar në shtëpi ndaj Salcburgut. Ndryshe nga e marta, ku në ndeshjet e dyta të grupeve A, B, C dhe D të Ligës së Kampioneve u realizuan plot 27 gola në 8 takime, e mërkura, ku u luajtën të dytat e grupeve D, E, F dhe G, ka qenë më pak e begatë në këtë drejtim.
Në fakt, në takimin e parë, të grupit E, të luajtur më herët, belgët e Genkut dhe italianët e Napolit janë ndarë me rrjeta të paprekura, ndërsa po për këtë grup, Liverpuli ka kryesuar 3-0, por ka vuajtur në fund për të të mposhtur Salcburgun me shifrat 4-3. Napolitanët mbajnë sidoqoftë kreun e renditjes, ashtu sikurse bën në grupin F edhe Borusia e Dortmundit, e cila ka fituar 2-0 në Republikën Çeke përballë Sllavias së Pragës. Në takimin tjetër të grupit, Interi ka kryesuar që në minutat e para në “Kamp Nou”, por Barcelona ka reaguar në pjesën e dytë, duke barazuar fillimisht shifrat në 1-1, dhe duke përmbysur gjithçka me golin e dytë.
Atë të shënuar 6 minuta para fundit nga i njëjti autor, Luis Suarez. Në grupin G, Zeniti i Shën Pjetërburgut dhe Lioni kanë marrë bashkarisht kreun e renditjes, me nga 4 pikë secila, pasi rusët fituan 3-1 në shtëpi ndaj Benfikës, ndërsa francezët u kthyen nga vizita që i bënë Lajpcigut në Gjermani me një fitore 2-0. Dhe, së fundi, takimet e dyta të grupit H kanë folur për ekipet udhëtuese, sepse Çellsi ka fituar 2-1 në Francë ndaj Lilës, ndërsa edhe më bindës ishte triumfi i Ajaksit në Spanjë, duke mposhtur në Stadiumin “Mestaja” Valencian me shifrat 3-0