AlbanianSport.com 31.01.2015 16:00
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e cila ka nisur të premten me takimin Tirana-Flamurtari, që u fitua nga kryeqytetasit me rezultatin 1-0, po i luan sot të gjitha ndeshjet e tjera. Kështu, duke nisur nga ora 14:00, janë luajtur 3 takime dhe Vllaznia është mundur në Durrës, duke u dorëzuar me shifrat 1-2 përballë Teutës.
Ndërsa në Kukës, skuadra vendase është përballur me Elbasanin, duke e mundur me rezultatin 3-0, me të 3 golat e shënuar nga kroati Pejiç. Po duke nisur nga ora 14:00, Skënderbeu është përballur në Korçë me Laçin, në një sfidë që është mbyllur me rrjeta të paprekura. Ndërkaq, java e 20-të mbyllet me takimin e orës 17:00, midis Apolonisë dhe Partizanit.
Kjo ndeshje, që do të luhet në Stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Aktualisht, renditjen e Kategorisë Superiore e kryeson, Kukësi, me 44 pikë, i ndjekur nga Tirana me 41, Skënderbeu, me 40 dhe Partizani me 37 pikë.