Gjergj Vyshka 02.03.2017 07:05
Barleti Volej-Tirana është finalja e Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra, ndërsa ky ka qenë prodhimi i dy gjysmëfinaleve, që kanë qenë një maratonë e vërtetë, të cilat janë luajtur në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.
Tirana e Gorenxës, të paktën me atë që lojë që bëri, atje ku të pamundurën e bëri të mundur, është një mrekulli e këtyre finaleve. Sepse ka përmbysur një Teutë, nga 0-2 në 3-2, e cila në kampionat e kishte mundur dy herë (3-2 dhe 3-1).
E treta e vërteta dhe këtë herë shansi ka qenë me Tiranën. Ndërkohë Barleti Volej, edhe pse ka gabuar shumë, madje trajneri Gurabardhi ka deklaruar në fund të ndeshjes se është luajtur dobët, ka vërtetuar dhe një herë se vazhdon të jetë një emër me peshë “të rëndë” në volejbollin e femrave në Shqipëri.
Madje dje e ka marrë suksesin në pikët shtesë, ndërsa ka qenë i treti radhazi ndaj Partizanit (3-0 dhe 3-1 në kampionat e 3-1 në Kupën e Shqipërisë). Dhe pritshmëritë për një finale mbresëlënëse të premten pasdite janë shumë të mëdha…
Kupa e Shqipërisë
Volejboll – Femra
Kalendari i fazës finale:
Gjysmëfinalet:
(1 mars 2017)
1) Tirana – Teuta 3-2
2) Barleti Volej – Partizani 3-1
Finalja:
(3 mars 2017)
Tirana – Barleti Volej ora 16:00