Gjergj Vyshka 13.05.2016 10:20
Vllaznia dhe Virtus Tirana e kanë pasur të pamundur të përballojnë kundërshtarët, që duket se kanë pasur diferenca të mëdha mes tyre. Ndryshimet kanë ardhur nga lojtarët që janë pjesë e ekipeve të para. Superior-Tirana do të jetë dueli për titull “kampion” për të rinj në basketboll, ndërsa ky ka qenë përfundimi i dy gjysmëfinaleve, që janë zhvilluar dje në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”.
Si Vllaznia e Roland Kokës, ashtu dhe Virtus Tirana e Juxhin Talellit, nuk patën këllqe të përballonin dy skuadrat finaliste, ndërsa Superiori është dhe kampione në fuqi. E ndërkohë diferencat kanë ardhur nga lojtarët që janë pjesë e ekipeve të para, jo vetëm për stërvitje, por dhe për faktin se janë titullarë në formacionet e tyre. Kështu ndodhi me Gjeçin, Qilimin e Jarecin tek Superiori, apo Nazareno Kokon, Lilajn e Hysën tek Tirana.
Tek këto lojtarë duket se do të vërtitet dhe finalja e sotme, e cilat pritet të jetë e ethshme, gjithnjë falë këtyre kualiteteve individuale që kanë skuadrat. Ajo që duhet evidentuar, ndërsa gjysmëfinalet janë dominuar nga fillimi deri në fund nga skuadrat fituese, të dy ndeshjet e mbrëmshme pak kanë pasur emocione. Ndaj Superiori dhe Tirana e kanë pasur më shumë se sa të merituar daljen në finale.