AlbanianSport.com 11/03/2021 15:40
ASNN – Edicioni i 12-të i Kupës së Shqipërisë në futboll për femra ka arritur në aktin final. Vllaznia dhe Apolonia janë dy skuadrat që kanë siguruar finalen e madhe pas ndeshjeve gjysëmfinale që u luajtën këtë mesjavë, me shkodranet që mundën ditën e mërkurën 8-0 Tirana AS-në, dhe Apoloninë, që triumfoi të enjten ndaj Tiranës, me ndeshjen e luajtur në “Loni Papuҫiu”.
Vllaznia priti në Fushën Sportive “Reshit Rushi” vajzat e Tirana AS, një përballje ndërmjet fitueses në fuqi të Kupës së Shqipërisë dhe Tirana AS si fituese e parë në histori e kësaj veprimtarie. Ndeshja u mbizotërua e gjitha nga kuqeblutë që shënuan nga katër gola në ҫdo fraksion loje. Megi Doçi hapin serinë e golave në minutën e 4-të. Goli i qetësisë erdhi në minutën e 13-të me Esi Lufon.
Doçi shënoi edhe dy herë të tjera në minutat 28 dhe 35 për të shkuar në dhomat e zhveshjes me rezulatin 4-0. Fraksioni i dytë i lojës nisi si i pari, me golin e sulmueses Megi Doçi që shënoi golin e 4-t personal dhe të 5-tin për Vllazninë në minutën e 62-të. Zarka është autorja e dy golave të rradhës në minutat 67 dhe 68. Goli i fundit i ndeshjes u shënua nga Zylfije Bajramaj 3 minuta nga fundi i kohës së rregullt.
Ditën e enjte u luajt në Fier ndeshja e dytë gjysëmfinale, që sipas shortit kishte vendosur përballë Apoloninë me Tiranën. Vajzat fierake janë ato që siguruan kalimin në finalen e 3-të radhazi ku do të gjejnë Vllazninë, që i ka mundur në finalet e dy viteve të fundit. Përballja e shkodraneve me vajzat bardheblu ishte e luftuar deri në minutat e fundit.
Pjesa e parë e ndeshjes u vendos nga autogoli i Alijajt në minutën e 21-të. Tirana reagon dhe shikon më shumë drejt portës së fierakeve por pa arritur të gjejë golin, të cilin e gjen Apolonia në minutën e 88-të me Kastratin për të vulosur rezultatin final 2-0. Apolonia siguron në këtë mënyrë finalen e 3-të radhazi në Kupën e Shqipërisë, ku do të sfidojë Vllazninë.