AlbanianSport.com 18/08/2018 22:05
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur sot pasdite takimin e dytë të javës së saj dhe Kastrioti ka fituar 1-0 në Gjirokastër ndaj Luftëtarit. Takimi tjetër që u luajt në mbrëmje, ai midis Tiranës dhe Kamzës, u fitua nga miqtë me një gol të Plakut në minutën e fundit të kohës së rregullt. Kështu, Kastrioti ka marrë një fitore minimale, por mjaft të vyer të shtunën pasdite në Gjirokastër, duke mposhtur me një gol të vetëm Luftëtarin vendas.
Në fakt, kjo fitore ishte përkundër rrjedhës së lojës, pasi gjirokastritët e dominuan pjesën e parë, duke qenë pranë golit, por pa e gjetur dot atë. Rasti më i mirë ka qenë për Rapon, i cili godet lehtë dhe portieri mik pret pa problem. Pavarsisht përpjekjeve të Luftëtarit, pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta do të vendoset nga episodi i minutës së 70-të, kur Kastrioti do të fitojë të drejtën e goditjes së një 11-metërshi.
Mziu nuk gabon nga pika e bardhë dhe shënon golin që do t’u japë krutanëve fitoren dhe 3 pikët. Ndërkaq, takimi i 3-të, i vlefshëm për javën e parë të Kategorisë Superiore, ka qenë ai midis Tiranës dhe Kamzës, që u luajt në mbrëmje në Stadiumin “Selma Stërmasi” në kryeqytet. Dhe rikthimi i bardhebluve në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar është mbyllur me një zhgënjim, pasi Kamza ka fituar me një gol minutën e fundit të kohës së rregullt.
Ndonëse Tirana e ka dominuar takimin, duke bërë një vëllim më të madh loje dhe duke patur raste për shënim, është portieri mik, Avdyli, që për më tepër është edhe një “ish”, ai që u ka mohuar golin bardhebluve. Dhe do të jetë një tjetër “ish”, Sebino Plaku, ai që ka ndëshkuar Tiranën në sekondat e fundit të kohës së rregullt, duke i dhënë Kamzës 3 pikë të arta në këtë nisje të sezonit.